Ballina Lajme Tërmeti/ Kosova shpall të mërkurën ditë zie, Osmani: Dhimbja e popullit turk...

Tërmeti/ Kosova shpall të mërkurën ditë zie, Osmani: Dhimbja e popullit turk dhe sirian, edhe e jona

1

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur ditën e mërkurë (8 shkurt) Ditë Zie Kombëtare si shenjë solidarizimi me viktimat nga tërmeti fatal që goditi Turqinë dhe Sirinë. Në një postim në Facebook, Presidentja Osmani shprehet se përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Për Osmanin, dhimbja e popullit turk dhe atij sirian prek edhe Kosovën.

Më shumë se 5 mijë viktima janë konfirmuar të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, ndërkaq mijëra të tjerë janë akoma nën rrënoja. Një tragjedi e përmasave shkatërrimtare që ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë. Dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit por edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja.

Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen. Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, të cilët lanë mijëra të vdekur e të lënduar. 

Teksa kujtojmë viktimat, nderojmë trimërinë dhe qëndresën e atyre që po  bëjnë të pamundurën për shpëtimin e çdo jete nën rrënoja. Fuqia shkatërruese e këtij tërmeti ka tronditur zemrat e gjithsecilit, porse mbështetja ndaj njëri- tjetrit në këto ditë tmerri ngjallë shpresën dhe besimin se jeta do të triumfojë”, thuhet në njoftimin nga Presidenca.

Shumë vende i kanë ardhur në ndihmë Turqisë, midis tyre edhe Kosova, e cila ka dërguar forca të FSK-së. Një tërmet 7.8 i shkallës rihter ka goditur një zonë të gjerë në Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë, duke vrarë me mijëra persona, e duke plagosur mijëra të tjerë. Tërmeti, një nga më të fortët që ka goditur Turqinë në më shumë se 100 vjet shkaktoi lëkundje në të gjithë rajonin, duke shembur dhe duke dëmtuar më shumë se 1,700 ndërtesa. Tërmeti i fuqishëm kishte një thellësi prej 17.9 km (11 milje) pranë qytetit të Gaziantep, dhe u shoqërua me 42 pasgoditje. Ndërkohë vijon të rritet numri i viktimave nga  tërmeti  duke e çuar numrin e të vdekurve në mbi 6,326, numrin e të plagosurve në  30,474, e numrin e ndërtesave të shëmbura në 11,342.

/rtsh.al/