Ballina Bota Tensionimi i marrdhënieve me Turqinë, ndalohet përkohësisht procesi i pranimit të Suedisë...

    Tensionimi i marrdhënieve me Turqinë, ndalohet përkohësisht procesi i pranimit të Suedisë në NATO

    1

    Suedia do të presë zgjedhjet në Turqi , më 14 maj, për të vazhduar procesin e anëtarësimit të vendit në NATO, pas “ngrirjes” së bisedimeve me Turqinë. Lajmin e konfirmoi Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström, i cili theksoi se “procesi i anëtarësimit është ndalur përkohësisht”, pas deklaratës së Turqisë se po tërhiqet nga dialogu me Suedinë dhe Finlandën. “Ne po ndjekim zhvillimet në Turqi dhe presim zgjedhjet e 14 majit”, shtoi ai.

    Billström shtoi se qëndrimi i Turqisë nuk e ka bërë më të lehtë procesin, por qeveria suedeze shpreson se vendi do të bashkohet me NATO-n këtë verë në një samit në Vilnius.

    Shkak i “ngrirjes” së bisedimeve ishte veprimi i politikanit të ekstremit të djathtë Rasmus Paludan, i cili dogji Kuranin para ambasadës turke në Stokholm, të shtunën e kaluar.

    Tensioni në marrëdhëniet midis dy palëve bëri që ministria e jashtme e Suedisë të paralajmërojë qytetarët e vendit në Turqi të shtunën për të shmangur turmat dhe demonstratat.

    Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e kaluar për t’u anëtarësuar në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës. Kërkesa ka nevojë për mbështetjen e të 30 anëtarëve të Aleancës. Përveç Turqisë dhe Hungarisë, të gjitha vendet e tjera e kanë miratuar anëtarësimin nga parlamenti./ Protothema