Ballina Rajoni Tensionet në Veri, ndërkombëtarët vazhdojnë thirrjet për zgjedhje të reja në Kosovë

Tensionet në Veri, ndërkombëtarët vazhdojnë thirrjet për zgjedhje të reja në Kosovë

0

 

Diplomacia perëndimore ka vazhduar thirrjet që Kosova dhe Serbia të marrin veprime për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës kur për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shkroi të shtunën në rrjetet sociale se ka biseduar për këtë cështje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke e inkurajuar “të nxisë qetësinë mes serbëve të Kosovës, të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
Një ditë më parë Shtëpia e Bardhë tha se zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.

Zoti Finer kërkoi nga qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja.

Ai i bëri thirrje presidentit serb që të marrë masa për qetësimin e gjendjes, duke tërhequr forcat e armatosura serbe të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t’u bëjë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë në veri të Kosovës.
Të shtunën Bashkimi Evropian u bëri thirrje palëve që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veriun e trazuar të Kosovës, duke paralajmëruar se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.

BE-ja pret që Kosova të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës, kryetarët e komunave t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme sa më shpejt në të katër komunat. Blloku tha se pret po ashtu që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje ndërkaq shprehu shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të forcave të armatosura të Serbisë.
Po të shtunën, kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bujar Osmani, publikoi një udhëzues prej nëntë pikash për të siguruar shtensionimin dhe normalizimin, paqen dhe qëndrueshmërinë në Kosovë.

Në një postim në rrjetet sociale zoti Osmani shkroi se pikë e parë e këtij udhëzuesi është që Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë zotimet për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Në pikën e dytë propozohet që Kosova të tërheqë njësitet e posaçme të policisë, ndërsa Serbia të heq gjendjen e lartë të gatishmërisë luftarake.

Më tej në propozim thuhet se policia e Kosovës me ndihmën e KFOR-it dhe EULEX-i të menaxhojnë sigurinë në terren.

Mes tjerash thuhet se kryetarët e zgjedhur të komunave në veri duhet të dorëhiqen gjatë verës për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja që do të mabheshin deri në fund të vitit.
Kryesuesi i OSBE-së tha se organizata e tij do të mbështesë procesin zgjedhor dhe rritjen e mirëbesimit në mes të komuniteteve.

Nën trysninë perëndimore udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në komunat veriore të banuara me shumicë serbë, por kanë akuzuar njëri tjetrin për tensionet.
Tensionet në veri të Kosovës pasuan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nxiti reagimin e palës serbe që u hodh në protesta. Të hënën protestuesit u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Përplasjet lanë pas vetes 30 ushtarë të plagosur dhe nxitën shqetësimin për ripërtëritje të konfliktit në rajonin e trazuar.

NATO-ja tha se 700 trupa shtesë do të vendosen në Kosovë dhe trupa të tjerë janë në gatishmëri për t’iu bashkuara forcave paqeruajtëse nëse është e nevojshme.

Ministria turke e Mbrojtjes tha se planifikon të dërgojë trupa komando në Kosovë të dielën dhe të hënën, në përgjigje të kërkesës së NATO-s, ndërsa bëri thirrje për përmbajtje dhe dialog konstruktiv për të zgjidhur krizën që sipas saj, mund të dëmtojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale.
Bashkimi Evropian tha se pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës dhe fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

/VOA