Ballina Bota Tensionet në veri, Macron: Kosova përgjegjëse për përleshjet e dhunshme

    Tensionet në veri, Macron: Kosova përgjegjëse për përleshjet e dhunshme

    1

    Franca fajëson Kosovën për përleshjet e dhunshme në veri, ku mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se zyrtarët e Kosovës mbanin “përgjegjësi” për përleshjet duke mosrespektuar marrëveshjet nga dialogu.

    “Është shumë e qartë se autoritetet kosovare mbajnë përgjegjësi për situatën aktuale dhe ka mosrespektim të një marrëveshjeje që ishte megjithatë e rëndësishme dhe e cila u sigurua vetëm disa javë më parë. Ne i kemi njoftuar shumë qartë autoritetet kosovare se ishte gabim të vazhdohet me këto zgjedhje”, u tha Macron gazetarëve ku po merr pjesë në samitin në Bratislavë, raporton Le Monde.

    Në fillim të muajit maj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç zhvilluan bisedime në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Përleshjet në veri të Kosovës shpërthyen kur kryetarët e rinj nuk u lejuan të hyjnë në institucion në komunat me shumicë serbe.

    Situata doli jashtë kontrollit pasi serbët u përpoqën të futeshin me forcë në një bashki në qytetin verior të Zveçanit, por u zmbrapsën nga policia e Kosovës duke hedhur gaz lotsjellës. Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO (KFOR) u përpoqën të shpërndanin më të dhunshmit mes turmës duke përdorur mburoja dhe shkopinj, por u ndeshën nga një breshër gurësh, shishe dhe kokteje molotovi.