Ballina Rajoni Tensione në veri/ KFOR pozicionohet në Zveçan, Policia hedh gaz lotsjellës ndaj...

Tensione në veri/ KFOR pozicionohet në Zveçan, Policia hedh gaz lotsjellës ndaj protestuesve

0

Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Mëngjesin e kësaj të hëne (29 maj), KFOR ka krijuar bllokadë para objekteve komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, pasi grupe qytetarësh serbë janë ngritur sërish në protestë kundër marrjes së pushtetit lokal nga kryetarët e rinj.

KFOR ka vendosur gardhe metalike për të bllokuar rrugën për në komuna, ndërsa në Zveçan, policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Policia e Kosovës ka bërë me dije se protestuesit në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan kanë protestuar duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës, si dhe kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektet e komunave. Policia iu është kundërpërgjigjur duke hedhur sprej, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll.

“Sot, në veri të vendit është paralajmëruar të mbahen protesta/tubime, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.

Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdor mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Protestat pran komunave veriore janë duke vazhduar, Policia e Kosovës është duke menaxhuar situatën, njëkohësisht fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, njofton Policia.

Sipas REL, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq po zhvillon bisedime me pjesëtarët e KFOR të pozicionuar në Zveçan, duke u kërkuar tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë, nga zona.

Po ashtu, Rakiq ka paraqitur kërkesën e serbëve  në veri, për të mos lejuar kryetarin e ri të kësaj komune që të hyjë në objekt.

/rtsh.al/