Ballina Lajme Politike Subashi takime në Topojë: Projekti i 16 fshatrave të fushës për furnizimin...

Subashi takime në Topojë: Projekti i 16 fshatrave të fushës për furnizimin me ujë të pijshëm përfshin tre njësi administrative të Levanit, Dermenasit dhe Topojën.

1
Një sërë takimesh elektorale ka zhvilluar kryetari i bashkisë Armando Subashi me banorët e fshatrave të Topojës ku jo vetëm ka analizuar punën e bërë në këto vite, por edhe ato të pritshmet për mandatin e ardhshëm katër vjeçar. Ai është takuar me banorët e fshatrave Grykë dhe Shën Pjetër në Topojë ku ka theksuar se jo vetëm në këto fshatra, por në çdo njësi administrative puna nuk pret të nisë pas 14 majit, po ajo vazhdon çdo ditë për të vijuar transformimet e mëdha.
Subashi në fjalën e tij ka pohuar përfitimet nga organizmi i ri i ndarjes territoriale ku falë krijimit të bashkisë së re sot në shumë fshatra është bërë e mundur që të realizohen investimet kapitale të cilat kanë qenë të pamundura në vitet e të qenit komuna më vete. Kryebashkiaku Subashi e ka fokusuar fjalën e tij në disa pika kryesore, që sipas tij janë me rëndësi jetike për këtë njësi administrative. Ndërsa sot ka pohuar Subashi investimi i infrastrukturës rrugore është shtrirë dhe në brendësi të fshatrave të njësisë.
Në pamundësi për shtrim me asfalt një pjesë e tyre janë shtruar me rërë bituminoze. Këto investime nuk janë parë thjesht si indikacione për përmirësimin e jetës së banorëve, por edhe nxitjes së biznesit dhe daljes së prodhimeve në treg. Një kolona e dytë ku është përqendruar Subashi kishte të bënte me investimet në kopshtet, shkollat, çerdhet dhe qendrat shëndetësore. Në shkolla çdo vit në korrik-gusht bëhen ndërhyrje për të siguruar mësim normal në shtator, ka përmendur ai. E njëjta gjë ndodh dhe me qendrat shëndetësore që nuk lihen jashtë vëmendjes së bashkisë, por edhe mjeku dhe infermieri duhet të jenë kurdoherë në shërbim të banorëve. Kolona e tretë ka qenë e lidhur me investimet në kanalet vaditëse dhe kulluese, duke trashëguar nga e kaluara mungesë të theksuar të investimeve në këtë drejtim.
Sot janë rreth nëntë ekskavatorë që kryejnë shërbime në këto kanale duke blerë dhe dy të tjerë për të vazhduar pa ndërprerje. Kolona e katër ka qenë e lidhur me shërbimet si pastrimi i mbetjeve urbane, transporti publik, ndriçimi publik në qendër dhe në fshatra. Subashi ka përmendur në këtë drejtim vendosjen e 9 mijë ndriçuesve dhe sipas një përllogaritje ky objektiv përmbushet me vendosjen e 15 mijë ndriçuesve. Ai pa pohuar se do të përsosen arritjet dhe do të vazhdohet të bëhet më shumë.
Ai është ndalur në dy projekte madhore përfitues të cilëve janë dhe banorët e kësaj njësie si projekti i 16 fshatrave të fushës për furnizimin me ujë të pijshëm që fillon nga pjesa e Pishë-Poros në grykëderdhjen e Vjosës deri në fshatin më të fundit në Sektor të Semanit, që përfshijnë brenda vetes tre njësi administrative të Levanit, Dermenas dhe Topojën, por edhe zhvendosjen e vendburimit nga Pishë-Poro drejt Çervenit aty ku aktualisht janë shumica e puseve prej nga furnizohet qyteti i Fierit dhe më gjerë duke i paraprirë kështu zhvillimeve të ardhshme në zonën bregdetare.
Ndërkohë në mesazhin e tij politik Subashi ka kërkuar mbështetjen jo vetëm për atë si kryetar bashkie, por edhe për PS, për fitoren e numrave në këshillit bashkiakë. “Pas zgjedhjeve të 14 majit t’i themi kryeministrit Edi Rama që Fieri e tregoi veten cili është, kryeqyteti i socialistëve, Fieri mbështeti prapë PS, ndaj Fieri ka nevojë që të vazhdojë të mbështetet”- tha mes të tjerave kandidati Subashi duke e cilësuar si të garantuar fitoren e 14 majit.
/Tv Kombi/