Ballina Lajme Stoltenberg për tensionet në Kosovë: NATO është gati, të mos përshkallëzohet situata

Stoltenberg për tensionet në Kosovë: NATO është gati, të mos përshkallëzohet situata

1

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos përshkallzojnë situatën dhe retorikën mes tyre.

Në një intervistë për France 24, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka komentuar tensionet në Kosovë dhe ka thënë se forcat e NATO-s janë në gatishmëri, si dhe se po bashkëpunojnë ngushtë me BE-në.

“Mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi shtesë dhe retorika provokuese. NATO është shumë e fokusuar në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje, forcat e KFOR-it numërojnë më shumë se 4000 ushtarë dhe ata luajnë një rol kyç në stabilizimin e situatës. Forcat tona janë të afta, të gatshme, por edhe në gatishmëri. Ata po monitorojnë situatën me vëmendje të madhe. NATO dhe BE bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi shtesë dhe retorika provokuese. U bëj thirrje atyre. për të lehtësuar tensionet në Kosovë”, tha Stoltenberg.

Serbët nga veriu i Kosovës kanë bllokuar rrugët kryesore në shenjë proteste kundër arrestimit të një ish-pjesëtari të policisë së Kosovës, i cili dha dorëheqje nga pozita muajin e kaluar së bashku me serbët e tjerë. KFOR-i dhe EULEX-i u bënë thirrje qytetarëve që të zhbllokojnë rrugët, por kjo ende nuk ka ndodhur.

SHBA dhe Britania e Madhe i kërkuan Serbisë që të ftojë serbët në Kosovë që të heqin barrikadat.