Ballina Lajme Skena të forta dhune, ndërpritet transmetimi televiziv i reality show-t në Kosovë

Skena të forta dhune, ndërpritet transmetimi televiziv i reality show-t në Kosovë

1

Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovë ka vendosur për ndërprerjen e transmetimit televiziv të “It’s my home”, kjo pasi aty u shfaqën skena dhune, ku më pas ndërhyri edhe policia dhe hapi rast për “sulm dhe kanosje”.

Njoftimin për ndërprerjen e transmetimit në TV e ka dhënë pronari i televizionit “First Channel”, Valon Maloku me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook.

“Sipas vendimit të KPM-së programi Reality show “It’s my home” ndërpritet menjëherë në transmetimin televiziv”, ka konfirmuar Maloku.

Gjatë ditës së djeshme, pas një debati të ashpër në këtë reality show, një banore është goditur me këpucë nga një tjetër banor.

Viktima e dhunës, në këtë rast banorja e “It’s my home”, në pamjet e publikuara shihet teksa largohet duke qarë nga pjesa ku po debatonte dhe askush nuk shkon pas saj për ta ndihmuar. Përkundrazi një grua aty e përkrahu dhunën ndaj saj duke i thënë sulmuesit “bravo, mirë ia bëre”.

E përlotur, banorja që u sulmua dëgjohej teksa thotë “S’kam ardhur unë të më rrahi këtu”.

Kjo skenë e dhunës fizike, por edhe skena të tjera brenda kësaj shtëpie kanë bërë që të kërkohet ndërhyrja e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari për sulm ndaj një banoreje në emisionin “It’s my Home”, është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.

Ndaj tij është hapur rast për kanosje dhe sulm.