Ndryshon rrënjësit skema për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompentimin e pronave.
Ministria e Drejtësisë ka bërë një ndërhyrje të thellë në ligjin për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, ku Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, ku llogaritet vlera e pronës së njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit.
Po sipas ndryshimeve ligjore, që bëhen publike nga rtsh.al, do të llogaritet vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave.
“Vlera e pronës së kthyer llogaritet si diferencë që rezulton ndërmjet vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Vlerës së pronës së kthyer, i zbritet vlera e pronës së njohur për kompensim. Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me zero lekë dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me diferencën që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim.”- thuhet në projektligjin e propozuar nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili pritet të shqyrtohet në Kuvend, pasi tashmë ka kaluar në qeveri.
ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës.
Ajo llogarit vlerën e pronës së njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral aktual, vlerën e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave.
Vlera e pronës së kthyer
Vlera e pronës së kthyer llogaritet si diferencë që rezulton ndërmjet vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.
“Vlerës së pronës së kthyer, i zbritet vlera e pronës së njohur për kompensim. Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është e barabartë me zero lekë dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me 10 për qind të diferencës që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim. Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur sipas kësaj pike, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit”- thuhet në projektligj.
ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare do të vlerësojë ato raste që kanë njohur vetëm të drejtën për kompensim, do ti vlerësojë financiarisht vendimet, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit.
Rasti tjetër për kompensim lidhet me faktin se kur ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Subjekti i shpronësuar kompensohet në masën 10 për qind të vlerës së pronës, sipas zërit kadastral aktual.
“Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.”- thuhet në draftin e ndryshimeve ligjore.
Përcaktimi i zërit kadastral
Zëri kadastral i kohës së shpronësimit të pronës përcaktohet duke u bazuar në dokumentacionin ligjor të administruar në dosje ose, në mungesë të këtij të fundit, për përcaktimin e zërit kadastral përdoret harta e kohës së shpronësimit dhe, në mungesë të saj, harta që është më e afërt me kohën e shpronësimit.
Në rastet kur është objektivisht e pamundur për përcaktimin e zërit kadastral, vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht me çmimin minimal, të përcaktuar në hartën e vlerës për atë zonë kadastrale dhe kur zona kadastarale nuk identifikohet për atë bashki, nëse:
a) subjektet e interesuara nuk sjellin dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit brenda afatit të përcaktuar;
b) ATP-ja është në pamundësi objektive për të vlerësuar pronën, bazuar në dokumentacionin që disponon.
Në rastet kur në hartën e vlerës mungon vlera e caktuar për zërin kadastral të kohës së shpronësimit, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kompensimit, bëhet duke marrë si referim vlerën me të njëjtin zë kadastral, që ndodhet më afër pronës që do të kompensohet.
Në rast se pranë pronës, që do të kompensohet, gjenden disa zëra kadastralë të njëjtë me atë të origjinës së pronës, me distancë të njëjtë dhe me vlera të ndryshme, atëherë, për referim në përllogaritje merret zona që ka çmimin më të lartë.
Në rastet kur në hartën e kohës së shpronësimit ose, në mungesë të saj, në hartën që është më e afërt me kohën e shpronësimit nuk ka një vijë kufizuese të qyteteve e qendrave të banuara, të miratuar nga autoritetet shtetërore të kohës, me qëllim përcaktimin e zërit kadastral të origjinës, përdoren vijat kufizuese të përcaktuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në hartat specifike të qyteteve.
Kur subjekti disponon një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, kërkesa për kompensim paraqitet nga subjekti i shpronësuar, trashëgimtarët e tij ose përfaqësuesit me prokurë, së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor.
Përparësia ndërmjet formave të kompensimit është, kompensimi fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar;
kompensimi fizik nga fondi i tokës;
kompensimi financiar.
Vlerat financiare
Vendimet përfundimtare, që janë vlerësuar nga organi administrativ apo gjyqësor, me vlerë financiare deri 1 500 000 lekë, mund të kompensohen financiarisht në masën 100 % të vlerës së tyre financiare, nëse kërkuesi ka paraqitur kërkesën për t’u kompensuar nëpërmjet kësaj forme si dhe, kur është rasti, kërkuesi heq dorë nga forma e kompensimit fizik.
“Në rastet kur subjekti nuk përfiton kompensim fizik dhe ka një vendim përfundimtar, të vlerësuar financiarisht, përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20% të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 000 000 lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.”- përcakton projektligji.
ATP-ja kryen ekzekutimin e vendimit përfundimtar duke i shtuar vlerës financiare fillestare dhe indeksimin sipas interesit bankar të mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë.
Vendimi i ATP-së për njohjen e së drejtës për kompensim fizik përcakton pronën në kufij, sipërfaqe dhe në pozicion gjeografik të saktë dhe regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
/rtsh.al/ a.meta/