Ballina Bota Shtyhet seanca për padinë kundër Trumpit

    Shtyhet seanca për padinë kundër Trumpit

    1

    Mediat amerikane kanë raportuar se është shtyrë seanca e një jurie të madhe, e cila do të vlerësojë nëse do të miratojë akuzat kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me një pagesë që i është kryer një ylli të pornografisë, në këmbim të heshtjes.

    Mediat amerikane, duke cituar disa burime të afërta, kanë thënë se juria e madhe nuk do të mblidhet të mërkurën.

    E ashtuquajtur juri e madhe, ajo përbëhet prej një grupi të qytetarëve, të cilëve ligji u jep autoritet për të hetuar shkeljet e mundshme penale të një pandehuri dhe të vlerësojnë nëse duhet ndëshkuar ai.

    Prokurori i Manhatanit mund të akuzojë Trumpin për mënyrën si e ka deklaruar pagesën për yllin e pornografisë, Stormy Daniels, së cilës i është kërkuar të heshtë për një aferë të supozuar me ish-presidentin amerikan.

    Nëse konfirmohet, Trump do të bëhet presidenti i parë në historinë amerikanë që do të ndiqet penalisht.

    Ende nuk është e qartë nëse juria e madhe – e cila është krijuar me kërkesë të prokurorit – do të vlerësojë nëse ka të dhëna të mjaftueshme për të çuar përpara rastin.

    Takimi i radhës është raportuar të jetë caktuar të enjten, mirëpo burime në sektorin për zbatim të ligjit, u kanë thënë mediave amerikane se ka pak mundësi që të vendoset për këtë rast deri në fund të javës.

    Të shtunën, Trump ka thënë se pret që të arrestohet të martën e kësaj jave.

    Policia në qytetet më të mëdha amerikane është duke u përgatitur për trazira potenciale, në rast se ai arrestohet.

    Turmp është zotuar se do ta vazhdojë fushatën e tij për të fituar nominimin e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, pavarësisht padisë eventuale.

    Ai është planifikuar të mbajë një takim në Teksas të shtunën, në kuadër të fushatës për president.