Ballina Vendi Shqiptari Dritan Abazoviç vjen në krye të qeverisë së re të Malit...

Shqiptari Dritan Abazoviç vjen në krye të qeverisë së re të Malit të Zi: Ja dy prioritetet

1

Shqiptari Dritan Abazoviç do të jetë kryeministri i Malit të Zi. Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, më 28 prill në Cetinje, u votua qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviç, me çka përfundoi mandati teknik tremujor i Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapic, të cilit iu votua mosbesimi më 4 shkurt.

Shumica e re parlamentare, e cila votoi për Qeverinë, më herët zgjodhi Danijela Gjurovicin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh.

Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.

Për kabinetin e Abazoviçit votuan deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.