Ballina Rajoni Shpërthime në Mitrovicën e Veriut, nuk raportohet për dëme

Shpërthime në Mitrovicën e Veriut, nuk raportohet për dëme

8

Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë orëve të vona të mbrëmjes së 22 qershorit kanë ndodhur dy shpërthime në Mitrovicën e Veriut. Nga këto shpërthime nuk ka pasur të lënduar.

“Ka pasur detonime, mund të jenë shok bomba ose fishekzjarrë. Nuk ka raportime për dëme apo të lënduar”, tha zëvendësdrejtori rajonal për veri, Veton Elshani.

Elshani tha se, megjithatë, situata në Mitrovicën e Veriut dhe në komunat e tjera në veri ka qenë e qetë gjatë natës dhe se vazhdon të jetë edhe sot e tillë.

Më herët këtë muaj është raportuar për sulme afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Këto sulme me shok-bomba po ndodhin në kohën kur tensionet në veri të Kosovës,të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë, ku më pas protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim. /REL