Ballina Sport Shkroi historinë me Apoloninë në Champions, trajneri Borova: Krenar për këta djem...

Shkroi historinë me Apoloninë në Champions, trajneri Borova: Krenar për këta djem të talentuar

1

Trajneri Bledar Borova ishte arkitekti i suksesit historik të Apolonisë U-19. Pasi fitoi dy herë titullin, dje ai shkroi me germa të arta historinë në Ligën e Kampioneve për të rinj. Pas ndeshjes, Borova nuk i fshehu emocionet, ndërsa në një prononcim për “Panorama Sport” theksoi se ndihet shumë krenar për këtë grup futbollistësh të talentuar, të cilët i pret tashmë me siguri një e ardhme e ndritur.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për ata që djemtë arritën në dy përballjet me Astanën. Ky ishte objektivi madhor që kishim në këtë kompeticion të rëndësishëm europian. Realisht meritojnë një bravo të madhe, sepse luftuan shumë dhe në fund triumfuan. E dëshironim dhe ëndërronim këtë sukses europian, sepse kemi punuar shumë gjatë këtyre pesë viteve të fundit.

Pavarësisht uljeve dhe ngritjeve që janë normale në futboll, Apolonia U-19 ka treguar nivel dhe cilësi futbolli europian. Ishte një fitore e arritur me meritë të plotë nga ana jonë pas zhvillimit të një ndeshjeje të dytë me ritëm të lartë”, ka thënë fillimisht Borova, ndërsa më pas bëri një sërë falënderimesh. “Kualifikimi ynë historik erdhi në mënyrën më të bukur të mundshme falë edhe tifozëve të shumtë fierakë, të cilët i falënderoj pamasë për mbështetjen nga shkallët e stadiumit. Faleminderit me zemër”.