Kreu i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia i ka kërkuar Beogradit dhe Prishtinës të heqin dorë nga retorika e padobishme dhe të zhvillojnë bisedime për të zbutur tensionet.
Kërkesa e tij vjen tre javë pasi 38 ushtarë nga misioni i KFOR-it u plagosën në përleshjet me protestuesit serbë në veriun e Kosovës, në atë që ai tha se ishte shpërthimi më i keq i dhunës që KFOR-i është përballur që nga viti 2004.
“I ftoj sërish të dyja palët që të shmangin çdo retorikë të kotë dhe të përballen me këtë sfidë përsëri në tryezën e negociatave, e cila është mënyra e vetme për të zgjidhur situatën.
Ne kemi nevojë që të dyja palët menjëherë të de-përshkallëzojnë situatën, të gjejmë një zgjidhje vetëm përmes politikës dhe diplomacisë”, tha gjeneralmajor Angelo Michele Ristuçia para gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Bashkimi Evropian, i cili po udhëheq përpjekjet ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i ka bërë thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të zhvillojnë bisedimet këtë javë në Bruksel për të zgjidhur krizën në veri të Kosovës.
Vuçiç ka thënë se do të ishte e padobishme të zhvilloheshin bisedime të tilla, ndërsa Kurti kërkon që Serbia të lirojë më parë tre policët e Kosovës e rrëmbyer.
Ndalimi i oficerëve të policisë e rriti edhe më shumë tensionin midis dy vendeve pas asaj që prodhuan protestat e dhunshme të serbëve në veri të Kosovës.
Përballë situatës së paqëndrueshme, NATO ka forcuar KFOR-in me 500 paqeruajtës të tjerë turq dhe u zotua se forcat e saj do të ishin të palëkundura në misionin e saj.
Vendosja totale e KFOR-it tani është në 4,500 trupa, një rritje e konsiderueshme kjo duke pasur parasysh që vitet e fundit forcat kanë ardhur duke u tërhequr gradualisht.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar në zbatimin e mandatit tonë, kjo është e sigurt. Fakti që NATO dërgoi këto përforcime… dëshmon përkushtimin tonë të plotë dhe sa seriozisht NATO po e merr këtë situate”, është shprehur Ristuccia.
Komandanti i KFOR-it shtoi se ka pasur nga “ata që janë të interesuar të krijojnë kaos… por ne jemi këtu për ta shmangur një situatë të tillë” .
Ai theksoi se Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një mënyrë për të vendosur dialogun midis dy vendeve.
“Askush nuk mund të zgjedhë fqinjët e tij, por duhet të gjejë zgjidhjen më të mirë për të jetuar në paqe me këta fqinj. Është një çështje politike, një problem politik” tha ai.
Duke iu referuar qëndrimit të saj të palëkundur, Bashkimi Evropian e kërcënoi Kosovën se do të ketë pasoja si pezullimi i vizitave të nivelit të lartë dhe bashkëpunimi financiar nëse nuk ndryshon kurs.
Shqiptarët e Kosovës kanë qenë vazhdimisht nën represionin serb, duke kulmuar ndaj tyre në krime lufte dhe gjenocid. Ndryshimi ndodhi me krijimin dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe bombardimin e Beogradit nga Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO). Kosova arrit të shpallë pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi vijon të mos e njohë atë si shtet të pavarur.
/rtsh.al/