tvkombi
tvkombi

SHBA vret liderin e Al-Kaedës në një sulm me dron

Bota

Publikuar ne:07:25 - 02/08/2022

 Vritet në një sulm me dron lideri i Al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri.

Lajmin e ka konfirmuar presidenti Joe Biden. Ai u vra në një operacion kundër terrorizmit të kryer nga CIA në kryeqytetin afgan, Kabul.

Biden tha se Zawahiri kishte “gdhendur një gjurmë vrasjesh dhe dhune kundër qytetarëve amerikanë. Tani drejtësia është vendosur dhe ky lider terrorist nuk është më,” shtoi ai.

Zawahiri mori drejtimin e Al-Kaedës pas vdekjes së Osama Bin Ladenit në vitin 2011. Ai dhe Bin Laden komplotuan së bashku sulmet e 11 shtatorit dhe ai ishte një nga “terroristët më të kërkuar” të SHBA-së. Zyrtarët thanë se Zawahiri ishte në ballkonin e një shtëpie të sigurt kur droni qëlloi dy raketa drejt tij. Anëtarët e tjerë të familjes ishin të pranishëm, por ata ishin të padëmtuar dhe vetëm Zawahiri u vra në sulm.

Kush ishte Ayman al-Zawahiri?

Ayman al-Zawahiri ishte truri ideologjik i Al-Kaedës. Ai ishte mjek egjiptian i cili u burgos në vitet 1980 për përfshirje në islamin militant. U largua nga vendi pas lirimit të tij dhe u përfshi në lëvizje të dhunshme xhihadiste ndërkombëtare.

Përfundimisht ai u vendos në Afganistan dhe bashkoi forcat me një saudit të pasur, Osama Bin Laden. Së bashku ata i shpallën luftë SHBA-së dhe organizuan sulmet e 11 shtatorit 2001. U desh një dekadë që Bin Laden të gjurmohej dhe të vritej nga SHBA. Pas kësaj, Zawahiri mori drejtimin e Al-Kaedës, por ai u bë një figurë e largët dhe margjinale, duke lëshuar vetëm mesazhe herë pas here.

Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur vdekjen e tij si një fitore, veçanërisht pas tërheqjes kaotike nga Afganistani vitin e kaluar, por Zawahiri pati një ndikim relativisht të vogël pasi grupet dhe lëvizjet e reja si Shteti Islamik janë bërë gjithnjë e më me ndikim. Një lider i ri i Al-Kaedës pa dyshim do të shfaqet, por ai ka të ngjarë të ketë edhe më pak ndikim se paraardhësi i tij, shkruan BBC.

Ju sugjerojmë