Një ndërtesë banimi u dëmtua ditën e sotme nga sulmet ruse në Kiev, duke lënë 35 persona të plagosur, mes tyre dy fëmijë.
Megjithatë ministria ruse e mbrojtjes deklaroi se ka pasur sulem me raketa gjatë natës kundër objektivave në Ukrainë , por pretendoi se kishte në shënjestër infrastrukturën ushtarake dhe jo banorët.
“Gjatë natës, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse filluan një sulm me armë precize me rreze të gjatë duke përdorur raketa lundrimi të lëshuara nga ajri dhe deti kundër objekteve të infrastrukturës ushtarake ukrainase,” tha gjeneralmajor Igor Konashenkov.
“Theksoj edhe një herë se zjarri është drejtuar vetëm në objektet e infrastrukturës ushtarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës, duke përjashtuar dëmtimet në infrastrukturën rezidenciale dhe sociale”-shtoi ai.
Deri më tani nga sulmet ruse kanë mbetur të vdekur sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 198 civilë, mes tyre 3 fëmijë, teksa janë plagosur 1115 persona. Luftimet vazhdojnë sot në ditën e tretë, teksa trupat ruse kanë avancuar në Kiev.