Ballina Bota Trupa njerëzish në rrugë, situatë dramatike pas tërmeteve në Turqi

    Trupa njerëzish në rrugë, situatë dramatike pas tërmeteve në Turqi

    1

    Trupat e njerëzve të vrarë nga tërmeti në Turqinë jugore të hënën janë lënë në rrugë ndërsa kërkimi dramatik për të mbijetuarit vazhdon.

    Më shumë se 7.200 njerëz dihet se kanë vdekur në Turqi dhe Sirinë veriore, e cila gjithashtu u shkatërrua nga tërmeti.

    Kombet e Bashkuara paralajmëruan se mijëra fëmijë mund të jenë në mesin e të vdekurve.

    Tërmeti i së hënës me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 (01:17 GMT) pranë qytetit të Gaziantep.

    Një lëkundje e mëvonshme ishte pothuajse po aq e madhe, me epiqendër në rrethin Elbistan të provincës Kahramanmaras.

    Në qytetin e Antakias, disa nga të vdekurit u lanë të shtrirë në trotuar për orë të tëra, ndërsa punonjësit e shpëtimit dhe ambulancat luftuan për të përballuar shkallën e katastrofës, raporton noa.al duke cituar BBC e cila nuk publikoi pamjet e trupave në rrugë që ishin sensitive.

    Familjarët e të zhdukurve qëndruan nëpër rrënoja duke kërkuar të dashurit e tyre. Një grup burrash duke përdorur varé dhe mjete të tjera gjetën trupat e një burri dhe një vajze të re që ishin bllokuar.

    Ata thirrën ekipet e shpëtimit për të përdorur mjetet e tyre elektrike për të ndihmuar, por ata thanë se duhej të përqendroheshin te të gjallët.

    Burrat vazhduan të gërmonin derisa trupat u nxorën.

    Në një godinë, 11 persona ishin bllokuar, por të afërmit e tyre denoncuan në BBC se ekipet e shpëtimit shkuan dhe fotografuan ndërtesën por ikën dhe nuk u kthyen më.

    Një grua atje, tregon se kanë dëgjuar zëra për orë të tëra, por më pas ka pasur heshtje.

    Më tej në veri në Kahramanmaras, afër epiqendrës së tërmetit të dytë, ka një vonesë në mbërritjen e ndihmës sepse rrugët malore janë të bllokuara nga ata që përpiqen të largohen.

    “Jam i shkatërruar,” i tha Reuters-it, një mjek në një spital lokal. “Shoh trupa brenda, kudo. Edhe pse jam mësuar të shoh trupa për shkak të ekspertizës sime, është shumë e vështirë edhe për mua.”

    Të mbijetuarit që tani jetojnë në rrugë u duhet të kërkojnë për ushqim dhe djegin mobiljet që gjejnë, për t’u ngrohur.

    Temperaturat kanë rënë nën zero dhe pritet të bien edhe më shumë në fund të kësaj jave.

    Një situatë e ngjashme është edhe në qytetin port të Iskenderun, ku tani njerëzit e pastrehë po strehohen nën qiell ​​të hapur larg ndërtesave.

    Një grua me të cilën foli BBC është duke qëndruar aty me fëmijët dhe nipërit e saj, duke përfshirë një gjashtë vjeçare që ka epilepsi. Punonjësit e ndihmës u kanë sjellë jorganë dhe u kanë dhënë bukë por nuk ka pasur asnjë mbështetje tjetër deri më tani. /noa.al