Ballina Lajme Rritja e prodhimit të drithërave, jep garanci për një siguri ushqimore më...

Rritja e prodhimit të drithërave, jep garanci për një siguri ushqimore më të lartë

1

Në vitin 2022, prodhimi i përgjithshëm kombëtar i drithërave në Kinë arriti në 686.55 miliardë kg, me një rritje prej 3.7 miliardë kg ose 0.5 % në krahasim me vitin e kaluar, duke ruajtur qëndrueshmërinë e prodhimit prej më shumë se 0.65 trilion kg për tetë vjet rresht.

Ndër to, vëllimi i prodhimit të drithërave të verës dhe orizit të hershëm në Kinë ishte përkatësisht 149.205 miliardë kg dhe 28.125 miliardë kg, duke u rritur me 1.445 miliardë kg dhe 105 milionë kg krahasuar me vitin e kaluar.

Prodhimi i drithërave të vjeshtës ishte 511 miliardë kg, 2.125 miliardë kg më shumë se vjet.

Për të arritur objektivin e stabilizimit dhe rritjes së prodhimit të drithit, të gjitha lokalitetet janë përpjekur maksimalisht për të ruajtur sipërfaqen e mbjellë me drithëra dhe vëllimin e prodhimit.

Në hartën e drithërave të Kinës, ka 13 zona kryesore prodhimi, shtatë zona kryesore shitjeje dhe 11 zona të prodhimit dhe të shitjes.

Sivjet prodhimi i drithit në 13 zonat kryesore prodhuese zë më shumë se 78 % të prodhimit të përgjithshëm të drithërave në mbarë Kinën, duke marrë përsipër detyrën e rëndë të garantimit të sigurisë ushqimore.

Ndër 31 provinca, rajone automone e bashki të varura drejtpërdrejt nga qendra në mbarë Kinën, 23 kanë realizuar rritjen e prodhimit të drithërave.

Përveç rritjes së prodhimit të drithit, edhe sipërfaqja e mbjellë me drithë u shtua.

Në vitin 2022, sipërfaqja kombëtare e mbjellë me drithë në Kinë është 1774.89 milionë mu, me një rritje prej 10.52 milionë mu ose 0.6 % në krahasim me vitin e kaluar.

Qysh nga viti 2019, sipërfaqja e mbjellë me drithë në Kinë ka ndaluar prirjen disavjetore të uljes dhe ka filluar të rritet, duke u shtuar me 33.66 milionë mu brenda tre vjetësh, baras me dyfishin e madhësisë së qytetit Tianjin.

Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike e sapopërfunduar u fokusua dhe një herë në sigurinë ushqimore dhe propozoi “zbatimin e një raundi të ri për veprimin e rritjes së kapacitetit të prodhimit të drithërave prej 50 miliardë kg”.

Në “Planin Strategjik për Zgjerimin e Kërkesës së Brendshme (2022-2035)” u propozua promovimi i prodhimit të qëndrueshëm dhe i rritjes së prodhimit të grurit.

Forcimi i ndërtimit infrastrukturor, nxitja e përmirësimit të tokës bujqësore me standard të lartë, rritja e shkallës së kontributit të shkencës e të teknologjisë dhe zgjerimi i mbulimit me varietete të përmirësuara janë masa gjithëpërfshirëse për të ndihmuar realizimin e objektivave të prodhimit të grurit për vitin e ardhshëm dhe dekadën në vijim.