Ballina Bota Rekord turistësh në Greqi, prenotimet janë më të larta edhe se viti...

    Rekord turistësh në Greqi, prenotimet janë më të larta edhe se viti 2019

    1

    Greqia po përjeton një bum turistik pasi u godit rëndë nga koronavirusi. Lajmi bëhet publik nga mediet gjermane të cilat theksojnë se shumë hotele në ishujt grekë të cilat po përfundojnë rinovimet e tyre, janë tashmë plot me rezervime.

    Por dyndje turistësh regjistrohen edhe tani në Athinë ,madje më shumë se përpara pandemisë theksojnë me kënaqësi pronarët e kafeneve, tavernave apo dhe dyqaneve të suvenirëve në lagjen Pllaka pranë Akropolit.

    “Nga dy sezonet e mëparshme që ishin afër zeros, shpresojmë se ky do të jetë më i mirë. Kjo është ajo që tregojnë sinjalet e para, por askush nuk mund ta dijë vazhdimësinë“, thotë Nikos Makropoulos, pronar i një dyqani turistik.

    Kompania më e madhe turistike gjermane TUI pret që këtë vit të sjellë më shumë turistë në Greqi sesa në 2019-ën, një vit rekord para pandemisë , kur vendin vizituan më shumë se 33 milionë turistë. Gjithashtu linja ajrore me kosto të ulët Easyjet ofron gjysmë milioni vende më shumë në fluturimet e saj midis Britanisë dhe Greqisë sesa përpara krizës.

    “Edhe unë mendova se ndoshta nuk është mirë të udhëtosh për shkak të luftës, por kaluam kaq vështirësi këto dy vjet dhe thamë se duhet të vijmë, duhet të bëjmë diçka të veçantë për ne”, shprehet Sigurd Rosemeyer, turiste nga Gjermania.

    Optimiste është edhe Shoqata e Agjencive Turistike Greke sipas së cilës do të ishte sukses për vendin ripërsëritja e 2019, pasi asnjë vend në Evropë nuk është aq i varur nga turizmi sa Greqia, ku një në pesë euro në vend fitohet nga turizmi dhe një në pesë vende pune varet nga ky sektor.

    Ndaj edhe qeveria greke për të balancuar kërkesat e mëdha vendosi të promovojë fillimin e sezonit turistik në fillim të marsit , shumë më herët se Pashkët ortodokse, duke e ngritur lart stekën për një sezon të fortë turistik, pavarësisht luftës në Ukrainë, çmimeve në rritje dhe humbjes së tregut të saj për qindra mijëra turistë rusë që nuk mund të vijnë.