Ballina Lajme Regjistrimi për zgjedhjet e 14 majit/ Celibashi: Për PD, vendimi sipas Kodit...

Regjistrimi për zgjedhjet e 14 majit/ Celibashi: Për PD, vendimi sipas Kodit Zgjedhor! Vendosim pas përfundimit të afatit

1

Komisioneri I KQZ, Ilirjan Celibashi tha se për regjistrimin e Partisë Demokratike do të vendosi sipas Kodit Zgjedhor.

Ai tha se PD-së i është dhënë afat kohor 48 orë që mbaron sot në mesnatë për plotësimin e dokumentacionit dhe se pas këtij afati do të dal me një vendim.

“Vendimi që unë si komisioner do të marr pasi të ketë kaluar afati 48 orë që i është dhënë PD-së për të plotësuar dokumentacionin që në bindjen time është i mangët.  Do presim të kalojë afati 48 orë dhe menjëherë do të vendosim. Një ditë më pas është edhe çështje e aspektit të ngarkesës. Natyrisht duke pasur në vëmendje se ka një afat për regjistrimin e koalicioneve si dhe për kryetar këshilli apo anëtarë të këshillit bashkiak. Nuk mund të shkelen këto afate. Afati mbaron në orën 12”, tha Celibashi.

Lidhur me miratimin nga KQZ, një natë më parë, të listës së komisionerëve të PD-së nëpër KZAZ, Celibashi tha se kjo nuk ka lidhje me regjistrimin e partive, por me administrimin e procesit

“Ne i kishim emëruar më parë një pjesë të anëtarëve të KZAZ-ve dhe emërimi është bërë dje në minutën e fundit sepse është dashur të merrnin detyrën më së shumti sekretarët që kanë një rëndësi të veçantë për menaxhimin e procesit.  Këtu nuk ka asnjë qëndrim tjetër tej atij që sapo e thashë. Ne kemi emëruar anëtarë të KZAZ-së personat që është paraqitur nga personi që është legjitim në komunikimin me KQZ-së.

Indrit Sefa si përfaqësues i PD ka gjithë legjitimin. Edhe Selia e PD ka legjitimin dhe ndaj ne atje dërgojmë shkresat. Se kush rri në Selinë e PD-së kjo nuk është çështja jonë. Ne e bëjmë këtë sepse kështu duhet bërë, kështu e kërkon ligji”, tha Celibashi.

Në mbledhjen e kaluar të KQZ për regjistrimin e partive politike si subjekt zgjedhor, Celibashi, pasi njohu sipas ligjit Lulzim Bashën si kryetar i PD, tha se partia duhet të plotësojë dokumentacionin dhe se për këtë ka 48 orë afat.

Sipas tij,  kryetari i parisë duhet të firmosë deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për t’u regjistruar në zgjedhje.

Sipas dokumentit të firmosur nga Basha më 18 mars 2022 i deleguari mund të jetë ose nënkryetari Enkelejd Alibeaj, ose sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi ose përfaqësuesi ligjor Indit Sefa, por për Celibashin “kodi e thotë qartë se deklarata e kryetarit të partisë nuk është kompetencë por përgjegjësi, dhe si përgjegjësi ajo nuk mund të delegohet”.

Më herët PD i dërgoi letër KQZ ku thotë se dokumentacioni është i plotë dhe autorizimi i Bashës më 18 mars 2022 është i vlefshëm sipas ligjit për të regjistruar partinë.

Pritet nëse deri në mesnatë ku mbaron edhe afatit do të ketë dërgim të dokumentacionit shtesë nga PD apo jo, dhe se vendimi për regjistrimin apo jo të saj në zgjedhjet e 14 majit mund të merret gjatë ditëve në vijim.

/rtsh.al/