Ballina Lajme Ekonomi Reforma e pagave/ Ibrahimaj: Pagat e muajit maj do të kalojnë siç...

Reforma e pagave/ Ibrahimaj: Pagat e muajit maj do të kalojnë siç ishin para se të miratohej rritja

0

Pavarësisht miratimit në Parlament të rritjes së pagave, nuk do të ketë një ndryshim të pagave për muajin maj. Kështu bëri me dije Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, e cila në një deklaratë për mediat bëri me dije se vendimi u mor me qëllim përgatitjen e plotë të dokumentacionit për të shmangur vonesat.

Megjithatë Ministrja theksoi se me zbardhjen e vendimeve, institucionet do të udhëzohen që shtesat në pagë të aplikohen më vonë qoftë për muajin prill, ashtu edhe për muajin maj

Miratuam tetë vendime të Këshillit të Ministrave, por patën diskutime. Do të marrim pak më shumë kohë, duke qenë se janë mbi 200 institucione të administratës që preken nga këto vendime dhe mbi 130 mijë të punësuar, pagat e të cilëve u miratuan që në prill, zbardhja e vendimeve merr një kohë më të gjatë. Kjo është edhe arsyeja që për të qenë më koherent dhe për të shkaktuar sa më pak vonesa në marrjen e pagave, iu kemi kërkuar të gjithë institucioneve buxhetore që të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që pagat e majit, në fazën e parë të kalojnë siç ishin para se të hynte në fuqi reforma. Zbardhja e vendimeve dhe aplikimi i vendimeve merr një kohë më të gjatë dhe kjo është arsyeje pse, për të qenë koherentë dhe për të shmangur vonesa në marrjen e pagave kemi folur me institucionet që marrin masa që rrogat e muajit maj të kalojnë siç ishin. Me zbardhjen e vendimeve do instruktojmë për dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që shtesat në pagë të aplikohen qoftë për muajin prill qoftë për muajin maj.”, tha Ministrja.

Ministrja shtoi se efekti financiar i rritjes së rrogës së deputetëve, ministrave e Presidentit do të jetë 20 milionë lekë. Po ashtu Ibrahimaj theksoi se nuk pritet të ketë inflacion nga rritja e pagave.

Ka një efekt financiar të përllogaritur për rritjen e pagave të institucioneve të pavarura Kushtetuese që parashikoheshin, ka 20 mln lekë efekt financiar. Nuk presim të ketë rritje të inflacionit të ndikuar nga kërkesa e shtuar nga rritja e pagave”, u shpreh Ministrja.

Kuvendi miratoi më 25 maj reformën e pagave për rritjen e pagave në institucionet e pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura.