Ballina Vendi Reagon AMP/ Policja e Elbasanit që bashkëjeton me gjarprin shpërtheu ndaj gazetarët:...

Reagon AMP/ Policja e Elbasanit që bashkëjeton me gjarprin shpërtheu ndaj gazetarët: Ç’kërkoni ju, zero vrasje.

1

Ndër radhët e policisë së Elbasanit është një police që ka bërë mjaft bujë në media, e kjo jo prej arritjeve apo profesionalizmit, por prej zgjedhjes së ‘pazakontë’ për kafshë shtëpiake. Policja Anisa Kostani nga Elbasani, “u bë e famshme” në rrjet për faktin se mbante në shtëpi një gjarpër si kafshë shtëpiake. Kostani ditën e djeshme ka reaguar e revoltuar ndaj gazetarëve që sipas saj po nxijnë punën e policisë së qytetit të saj.

Reagimi i saj, me një gjuhë tejet fyese ndaj punjonjësve të medies, vjen pas raportimit të mediave në lidhje me vrasjen e Madrit Ulqinakut në Elbasan nga 18-vjeçari Horgito Peqini. Kostani shprehet se blutë e Elbasanit janë duke bërë një punë të shkëlqyer, të cilën vetëm “qorrat  dhe ata që i kanë marrë provimet nga profesora Don Zhuanë” nuk e shohin. Sipas saj gazetarët “shkruajnë keq” për policinë e Elbasanit, të cilët “nuk kanë bërë kurrë një punë më të shkëlqyer dhe nuk ka pasur kurrë kaq arritje“.

Duke marrë shkas nga disa pseudo gazetarë/e, që iu duket vetja si të arrirë në profesion, por në fakt në shkrimet e tyre nuk shpalosin gje tjetër veç se inat personal dhe injorancë, ju bej me dije se: Policia Elbasan nuk ka qenë asnjëherë kaq aktive sa sot, nuk ka pasur asnjëherë kaq arritje sa sot, po ç’kerkoni ju? Zero vrasje, zero plagosje, zero do lloj krimi tjetër vetëm në parajse ka; nëse e keni me qejf jeni të lirë të shkoni, por kujdes mos digjeni ne Ferr rrugës!

E nëse do t’ju drejtohesha dhe Unë me të njëjtin fjalor si ju,edhe pse sma lejon etika, por po e bëj sepse s’po mbaj rezerva me ju të degjeneruar; i keni pas profesorët Don Juan-a që ju kanë dhënë shkollën, sepse me e pas marrë me meritë, të paktën do dinit te artikuloheshin dhe mos te paragjykonit, por të shihnit statistikat dhe te vinit me nje gjykim. E kjo quhet punë, jo “llogjet e kafeve” që shkarravisni ju si kodra pas bregut lart e poshtë neper rrjete sociale, mendoj për të vetmen arse që të merrni pak vëmendjen e munguar. Nëse dëshironi, ua jap unë këtë mundësi duke ju bërë dhe tag, sepse kam jo pak shikueshmëri. Banorët e Elbasanit duhet të ndërgjegjësohen  e të kulturohen që në vogëli; e kjo është punë individuale dhe e familjes, jo e Policisë, por tashmë keni mësuar mirë të drejtoni gishtin drejt Policisë, sepse aq dini dhe aq bëni!“- shkruan tërë mllef policja.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar në lidhje me Kostanin duke thënë se ka filluar procedurën e hetimit të thelluar administrativ. Gjithashtu AMP thotë për ABC se Anisa Kostani ka qenë gjithashtu nën hetim për daljet e saj publike në media dhe intervistat e saj me gjarprin e famshëm, që e mban në qafë.