Ballina Lajme Politike Rama në konferencën me Orban: I bindur që Mbretëresha Geraldinë po të...

Rama në konferencën me Orban: I bindur që Mbretëresha Geraldinë po të shikon nga lart

1

Pas nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe Shqipëri-Hungari Rama dhe Orban dolën në konferencën e përbashkët për shtyp.

Rama e cilësoi Hungarinë si mbështetësin kryesor të Ballkanit dhe i kujtoi Orban-it se një pjesë të vetën Hungaria e ka këtu, Mbretëreshën Geraldinë.

“I nderuar Kryeministër, shumë i dashur Viktor, është një nder dhe kënaqësi e posaçme jo thjesht për formalitet diplomatik, por sepse vizita e Kryeministrit të Hungarisë sot në Tiranë është vizita e një miku të vjetër e të palëkundur të Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha kohët.

Falë tij dhe përkushtimit të ministrit të Jashtëm ne kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tradicionale miqësore, por tanimë dhe ekonomike. Kjo vizitë përveçse vizita e një miku të çmuar është për të vazhduar në atë rrugë të re bashkëpunimi, fazë e re pas vizitës së delegacionit tonë kur u ftuam në Budapest dhe ku u vendosën disa piketa bashkëpunimi e falë të cilave po shohim rezultate të prekshme.

Hungaria është një ndër avokatët më të zëshëm të BP në BE dhe një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin. Orban veçanërisht e ka mbrojtur pa kushte procesin e përshpejtimit të integrimit të Shqipërisë në BE, u jam mirënjohës se kjo mbështetje ka qenë e konkretizuar me ekspertizë të vënë në dispozicion për qeverinë tonë në të gjithë sektorët ku kemi kërkuar mbështetje si dhe në projektet e binjakëzimit.

Personalisht ndjehem jashtëzakonisht mirë kur dëgjoj nga Orban atë që jam përpjekur ta them se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, siç ka Ballkani Perëndimor nevojë për BE. Është me rëndësi që ky argument të dëgjohet pa ngurrim nga shtetet anëtare. Jam jashtëzakonisht mirënjohës se ka investime në Shqipëri, disa kompani të flamurit të ekonomisë së re hungareze me të cilat jemi terësisht të kënaqur për cilësinë e lartë që kanë sjellë dhe për respektin që tregojnë ndaj vendit dhe nevojave të vendit.

Shpresoj shumë në fushën e turizmit sepse është bërë një fushë e rëndësishme lidhëse mes nesh, dhe në këtë fazë besojmë shumë që është koha për të menduar pë investime nga Hungaria e cila ka një industri ekselence në turizëm. Shumë mirënjohje për gjithçka, kjo vizitë pason vizitën e presidentes dhe konfirmon një gjendje pozitive e premtuese të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në një farë mënyrë Hungaria ka dhe diçka të vetën këtu në Shqipëri, sepse në kohën kur nuk i jepte dot investime direkte, i dha një princeshë që u bë Mbretëresha e Shqipërisë kështuqë jam i bindur se mbretëresha Geraldinë po të shikon dhe është shumë mirënjohëse në emër të shqiptarëve që ti je këtu”, përfundoi Rama.