Ballina Lajme Rama me studentët: Shumë shpejt paga minimale do shkojë në 40 mijë...

Rama me studentët: Shumë shpejt paga minimale do shkojë në 40 mijë lekë

1

Brenda pak javësh, paga minimale në Shqipëri do të jetë 40 mijë lekë. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama i pranishëm në një takim me studentët përfitues të programit të ri të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme.

Në fjalën e tij, Rama tha se qëllimi është që paga minimale të rritet në vijim dhe të shkojë në 45 mijë lekë brenda 2 viteve të ardhshme.

Paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë, çështje disa javësh dhe do të fillojë të aplikohet brenda shumë pak muajsh për të gjithë. Nuk duam të ketë një pagë më të ulët se 40 mijë lekë qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat. Kjo rritje është e duhura dhe besojmë se duke kontribuar edhe ne, qeveria, me një mekanizëm që jemi duke  përfunduar, paga minimale do rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se mbështetja për studentët ekselentë do të rritet nga viti në vit, teksa theksoi se synimi është zgjerimi i këtij programi.

Do keni një mbështetje financiare që do të shkojë duke u rritru vit pas viti dhe synimi ynë është që ta zgjerojmë këtë program. Fakti që sot janë 260 përfitues të programit dhe që i prekin me dorë fondet e mbështetjes, do na ndihmojë që vitin tjetër të kemi më shumë aplikime dhe ne jemi vendosur t’i shkojmë deri në fund kësaj”, u shpreh ai.  

Kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë se studentët që do të futen në sistemin e financimit dhe ata që zgjedhin degët prioritare, do jenë të detyruar të punojnë në vendin tonë për 3 vite, teksa theksoi se Shqipëria nuk mund të financojë shërbimin shëndetësor të shteteve të pasura.

Nuk i gjykoj ata të cilët pasi bëjnë një shkollë i kanë te dera kompanitë e mëdha ndërkombëtare që i kërkojnë të bëhen pjesë e tyre, s’mund të vijojmë të përsërisim një gjë e të presim rezultat tjetër. Fatkeqësisht edhe pse kemi financuar studentët, kemi financuar ekonomitë e mëdha, shtetet e pasura. Shqipëria s’mund të financojë shërbimin shëndetësor gjerman, s’ka kuptim. Për këtë arsye, ministrja pasi ngriti një skuadër për këtë program, shtroi idenë që të ndryshojë drejtim. Jo më për ekselentët që shkojnë jashtë por për ata që studiojnë këtu”, tha Rama.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri me dije se janë 160 studentë që kanë përfituar nga programi i qeverisë për bursa studimi sa një pagë minimale e përmuajshme.

Sot kemi përfituesit e parë të kësaj politike, 160 studentë nga i gjithë vendi nga universitete të ndryshme publike. Shumica studiojnë në programe prioritare, 89 studentë dhe 71 studentë ekselentë që janë diplomuar në shkollën e mesme dhe provimet e maturës të gjitha 10”, tha Kushi.

Nga programi i ri i bursave të studimit përfitojnë ata studentë që kanë arritur rezultate maksimale në shkollë apo në olimpiada ndërkombëtare dhe ata që kanë zgjedhur një nga programet e shpallura prioritet kombëtar, që lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesi, shkenca natyrore, matematikë, statistikë, inxhinieri, bujqësi, veterinari, shërbime, etj.