Qeveria i ka hapur rrugë krijimit të institucioneve të Arsimit të Lartë publik të pavarura. Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka bërë me dije vendimin e marrë këtë të mërkurë (23 nëntor) në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duke sqaruar se këto institucione do të jenë fitimprurëse dhe të ardhurat nga veprimtaria e tyre do të përdoren për të përmbushur misionin e institucionit të Arsimit të Lartë.
“Morëm një vendim i cili plotëson kuadrin ligjor të Arsimit të Lartë përsa i takon statusit që mund të kenë institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Deri më sot ne kemi institucione të arsimit të lartë publik dhe jo publik. Me vendimin e sotëm ne do të kemi dhe një formë të re që janë institucionet e Arsimit të Lartë publike, të pavarura.
Me vendimin e Këshillit të Ministrave ne kemi përcaktuar të gjitha kriteret, procedurat dhe dokumentacionin edhe për të krijuar një institucion të ri, pra institucion arsimor publik i pavarur i ri, por dhe të gjitha procedurat, kriteret dhe dokumentacionin për të transformuar një institucion të Arsimit të Lartë ekzistues që mund të jetë publik apo jopublik në publik i pavarur. Dua të theksoj se ky vendim i sotëm jo vetëm përmbush kuadrin ligjor, por është dhe në përputhje me strategjinë kombëtare të arsimit, dhe strategjinë kombëtare për shkencën dhe inovacionin dhe gjithashtu i jep më fleksibilitet institucioneve të arsimit të lartë përsa i takon menaxhimit financiar edhe për procesin e mësimdhënies por po ashtu dhe për procesin e kërkimit shkencor.
Këto institucione nuk do të kenë qëllim fitimin, pra do të jenë jofitimprurëse dhe të gjitha të ardhurat që krijohen nga veprimtaria e tyre do të përdoren për të përmbushur misionin e institucionit të arsimit të lartë. Kemi punuar gjatë, e kemi konsultuar dhe me përvojat në vendet e tjera, me konferencën e rektorëve dhe kemi marrë sugjerime nga universitetet në Shqipëri, i kemi reflektuar dhe i kemi brenda këtij vendimi. Besoj se ky vendim do jetë kontribut për të rritur cilësinë e Arsimit të lartë dhe për të përmbushur kriteret që kemi vendosur”, tha Kushi.
Më tej Ministrja e Arsimit teksa u ka bërë thirrje studentëve që të aplikojnë për bursa studimi, ka bërë me dije se ky afat do të jetë deri në fund të janarit. Bursat do të jenë të barazvlefshme me pagën minimale dhe parashikojnë tre kritere.
“I bëj thirrje studentëve të aplikojnë për bursa studimi për të gjitha universitetet e vendit. Bëhet fjalë për bursat e studimit që janë të barasvlershme me pagën minimale dhe që kanë parashikuar për të gjithë studentët që plotësojnë 3 kriteret kryesore: që kanë mbaruar shkollën e mesme me 10 dhe në provimet e maturës kanë marrë një minimumi 9.5 në secilin prej provimeve; gjithashtu përfitojnë të gjithë ata që pavarësisht mesatares kanë arritur të marrin një nga 3 çmimet e para në olimpiadat ndërkombëtare dhe janë regjistruar në programe studimi që lidhen me fushën ku kanë marrë çmimin; po kështu ata studentë të cilët kanë zgjedhur të studiojnë në programet prioritare dhe kanë mesataren minimumi 8.5. Thirrja është e hapur deri në fund të janarit. Kanë kohën e mjaftueshme për të përgatitur të gjithë dokumentacionin dhe aplikimin”, tha Kushi.