Ballina Lajme Protesta e pedagogëve, Kushi: Qeveria vendosi rritje të pagave me 15%, 7...

Protesta e pedagogëve, Kushi: Qeveria vendosi rritje të pagave me 15%, 7 për qind mbulohet nga shteti

1

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka bërë të ditur pas mbledhjes së qeverisë se sot u vendos që paga e pedagogëve të rritet me 15 për qind. Më konkretisht, shpjegoi ajo, 7 për qind rritja do të jetë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër më pas do të realizohet nga buxheti i vetë Universiteteve.

“Sot kemi vendosur që pagat e pedagogëve të rriten me 15 për qind, 7 për qind mbulohet nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga Universiteti,” tha ministrja Kushi.

Po ashtu, ministrja theksoi se pedagogët duhet të rrisin përpjekjet e tyre që të rrisin performancën e universiteteve dhe kapacitetet për të siguruar më shumë fonde nga BE. Ajo solli në vëmendje se ndryshe nga mësuesit apo zjarrfikësit, paga që marrin në institucionet arsimore nuk është i vetmi burim të të ardhurave që ata kanë.

“Pagat e pedagogëve do të rriten deri në 15%, 7% nga buxheti i shtetit dhe 8% e pagës së pedagogëve të rritet nga vetë universiteti me bordet e administrimit. Është një vendim i rëndësishëm pasi rrit performancën e universiteteve. Mbështetja e qeverisë shqiptare nuk është vetëm rritja e pagave por ka shumë aspekte të tjera. Në gjatë viteve të fundit e kemi rritur ndjeshëm mbështetjen për universiteteve. Kemi dyfishuar me 79 milionë lekë për të mbuluar kërkimin shkencor që bëjnë vete pedagogët dhe është pagesë që shkon përtej pagës bazë. Një pjesë ishte për të mbuluar kostot pagat e pedagogëve. Pedagogët kanë edhe shumë mundësi të tjera për të siguruar të ardhura. Kanë mundësi edhe nga programet e kërkimit shkencor të BE-së. Kërkoj mirëkuptim. Të rrisim përpjekjet tona të përbashkëta që të rrisim perfomancën e universitetit si dhe të rriten fondet që mund të kërkojnë në BE.”

“Mbështetja jonë për universitet do të jetë edhe më e madhe. Pedagogët të ardhurat i sigurojnë jo vetëm nga paga bazë por kanë edhe shumë mundësi të tjera, ndryshe nga mësuesit. Kanë mundësi të tjera, jo vetëm nga buxheti i shtetit por edhe nga programet e financuara nga BE.”

Kushi nuk e përjashtoi mundësinë që kufiri prej 15 për qind të rritet sërish me kalimin e kohës.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, pedagogët e bënë të qartë që oferta për rritje deri në 29 për qind të pagës ata nuk do të pranojnë. Po ashtu, ata bënë të ditur se më 17 tetor do të dalin sërish në protestë. /abcnews.al/