Ballina Vendi Profesioniste në qitje, pediatrja nga Vlora që trajnon të rinjtë

Profesioniste në qitje, pediatrja nga Vlora që trajnon të rinjtë

1

Prej 30 vitesh mban veshur bluzën e bardhë të mjekut. Doktoreshë Rajmonda Zoto është një nga mjeket pediatre të njohura të qytetit.

Dikur ajo ëndërronte të bëhej kirurge, por lindja e fëmijës së parë e bëri të ndryshonte drejtim.

“Ku ka më bukur sesa të merresh me fëmijët. Fëmijët janë jeta, fëmijët janë gjallëria, fëmijët ta mbushin jetën”, tregon ajo.

Sapo mbaron punën dhe heq bluzën e bardhë ajo merr në dorë pushkën. Çdo ditë, doktoreshë Mondën e gjejmë në poligonin e qytetit, teksa stërvit skuadrën e Flamurtarit në qitje.  Një sport, të cilin e ka nisur qysh në vegjëli dhe sot vijon të jap kontributin duke stërvitur brezat e rinj.

“Në klasë të pestë unë jam futur në sportin e qitjes. Kemi krijuar ekipin  e të rejave dhe të rinjve”, shprehet ajo.

Trajneria e Flamurtarit tregon vështirësitë e këtij sporti si dhe mungesën e vëmendjes së duhur nga institucionet.

“Është pothuajse një sport jo shumë i njohur. Kemi nevojë për materiale ndihmëse”, thotë ajo më tej.

Fëmijët e ekipit pasionin e kanë të trashëguar nga prindërit, dikur qitës. Mes tyre është edhe Ana vajza e Rajmondës e cila është kampione për të rinjtë.

“Ka qenë një traditë nga prindërit e mi, të cilët unë mendoj se janë qitësit më të mirë në Vlorë”, shprehet vajza.

Në poligon së bashku me doktoreshën, trajneren e Flamurtarit është edhe bashkëshorti, dikur qitës i cili asiston skuadrën.

E përkushtuar në profesionin e mjekes prej shumë vitesh Rajmonda Zoto vijon të luftojë për të ngritur atje ku duhet sportin e qitjes në Shqipëri, ku në disa kompeticione e ka përfaqësuar edhe si trajnere e ekipit kombëtar.