Princi William, trashëgimtari i fronit britanik, pranoi sot se ecja pas arkivolit të gjyshes së tij “i riktheu kujtime”, 25 vjet pas vdekjes së nënës së tij, Princeshës Diana.
“Procesioni i djeshëm ishte një provë. Ai solli kujtime”, tha ai pasi bashkë me gruan e tij Kate shkuan për të lënë lulet për Mbretëreshën Elizabeth bashkë me qytetarët në Sandringham. “Janë ato lloj momentesh ku ti mendon, OK, unë jam i përgatitur për këtë. Por nuk isha aq i përgatitur. Ishte shumë e çuditshme”, u shpjegoi ai britanikëve që shkuan për ta përshëndetur.
Të mërkurën, William iu bashkua procesionit që shoqëroi arkivolin e Mbretëreshës nga Pallati Buckingham në Westminster, ku do të qëndrojë deri të hënën në mëngjes.
“Ai na tha se nëna e tij do të ishte krenare për të dhe tha se dje ishte një ditë e vështirë sepse solli kujtimet e funeralit të nënës së tij,” tha Jane Ëells, e cila ishte në mesin e qytetarëve me të cilët William foli në Sandringham.
25 vjet më parë, princi i atëhershëm 15-vjeçar së bashku me vëllain e tij Harry, 12 vjeç, ndoqën në këmbë arkivolin e nënës së tyre e cila u vra në një aksident automobilistik në Paris në gusht 1997. Në vitin 2017 ai tregoi një dokumentar të shfaqur nga BBC se pjesëmarrja e tij në atë procesion “ishte një nga gjërat më të vështira” që kishte bërë ndonjëherë në jetën e tij./abcnews.al