Ballina Vendi Ambasada kineze përkujton traditen “Qingming” ne Sharre,ku prehen 5 shtetas kinez!Ne kete...

Ambasada kineze përkujton traditen “Qingming” ne Sharre,ku prehen 5 shtetas kinez!Ne kete dite perkujtohen dhe nderohen personat qe nuk jetojne!

1

Në varrezat e Sharrës në Tiranë prehen prej viteve 70-të pesë specialistë kinezë, të rënë në krye të detyrës në Shqipëri. Ata janë inxhinieri Zhang Baoyu dhe specialistët Li Dexiong, Peng Guiwen, Ou Xingtai dhe Song Shuhai. Për shqiptarët mbi 40 vjeçarë emri i Zhang Baoyu, që në pllakën e varrit është gdhendur ashtu siç shqiptohet Çen Pao Y, u bë i njohur si “Çeni, kinezi që ra te antena në Dajt”.

Në traditën kineze për të përkujtuar e nderuar paraardhësit që nuk jetojnë ka një ditë të veçantë që quhet Qingming që mund të shqipërohet “Shkëlqimi i Pastër”. Me këtë rast ambasada kineze në Tiranë zhvilloi një ceremoni përkujtimore për nder të specialistëve kinezë, që prehen në tokën shqiptare.

Ambasadori i Kinës Zhou Ding në fjalën e tij tha se “Në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, 6000 specialistë kinezë erdhën në Shqipëri për të ndihmuar në zhvillimin e vendit. Disa prej tyre dhanë jetën në territorin shqiptar. Duhet të përkujtojmë përherë ata që dhanë jetën dhe kontribuuan për marrëdhëniet kino-shqiptare. Miqësia kino-shqiptare është e hershme dhe ka një potencial të madh. Jam gati të bashkëpunoj me miqtë shqiptarë për të nxitur marrëdhëniet midis dy vendeve. Sado larg të shkojmë nuk mund të harrojmë rrugën e shkuar, thonë kinezët. Përkujtojmë sot dhe ish-kryeministrin Bashkim Fino dhe prof. Agron Fico një ndër themeluesit e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit”.

Duke respektuar traditën e lashtë të Qingming ambasadori Zhou Ding vendosi dhe nga një shishe raki në varret e specialistëve kinezë, në varrezat e Sharrës në kryeqytetin shqiptar. Ambasadori kinez Zhou Ding dhe të pranishmit në ceremoninë përkujtimore me rastin e Qingming vendosën buqeta lulesh dhe në varrin e ish-kryeministrit socialist, njëherësh kryetar i Grupit kuvendor të miqësisë Shqipëri-Kinë Bashkim Fino, si dhe në varrin e profesorit të nderuar Agron Fico, një ndër themeluesit të katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Familjarët e zotit Fino dhe prof. Fico falënderuar ambasadën kineze në Tiranë për nderimin e të afërmve të tyre.

Tradita e Qing Ming

Kremtimi i “Qing Ming” është më 5 prill. Këtë ditë kinezët vizitojnë varret e të parëve të tyre, ku i pastrojnë ato dhe ndezin temjan, por kryejnë dhe ritin e përkuljes me nderim në kujtim të tyre. Ata vendosin pije apo ushqime pranë varreve të paraardhësve si dhe degë shelgjesh në portat e shtëpive.

Tradita kineze Qingming është e lashtë rreth 2400 vjeçare sepse daton që nga dinastia Han (viti 206 para erës sonë deri në vitin 220 të erës sonë). Deri në dinastitë Ming dhe Qing (1368-1911) shprehia e pastrimit të varreve arriti kulmin, sepse njerëzit jo vetëm ndiznin letra dhe përkuleshim në heshtje me nderim, por vendosnin 10 gatime të ndryshme pranë varreve të paraardhësve të tyre.

Tradita e pastrimit të varreve në këtë ditë të shënuar është trashëguar deri në ditët tona, ndërkohë që me rastin e Qingming organizohen pastrime të varrezave të dëshmorëve, vendosje e kurorave me lule, në kujtim të tyre. Me rastin e kësaj dite në Kinë kryhen veprimtari si ngritja e balonave dhe argëtimi përmes lojërave të ndryshme në natyrë.