Ballina Bota Për herë të parë Britania e Madhe nuk importon karburant nga Rusia

    Për herë të parë Britania e Madhe nuk importon karburant nga Rusia

    1

    Në muajin qershor, vendi nuk importoi karburant nga Rusia për herë të parë që nga fillimi i regjistrimit të statistikave, njoftoi sot Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS) në Britaninë e Madhe.

    Importi i përgjithshëm i mallrave në Britaninë e Madhe nga Rusia gjithashtu shënoi një rënie në 33 milionë funte (39 milionë dollarë) në muajin qershor, niveli më i ulët që nga fillimi i regjistrimeve të ONS-së në janar të vitit 1997.

    Britania e Madhe, pjesë e grupit të vendeve që kanë sanksionuar Moskën për shkak te luftës së saj në Ukrainë, është zotuar të ndërpresë gradualisht importet e naftës ruse deri në fund të vitit.

    Më herët gjatë ditës, ministri britanik i Mbrojtjes, James Heappey, paralajmëroi se rivendosja e marrëdhënieve me Rusinë do të ishte katastrofike, ndërsa shtoi se do të ishte bindshëm zgjidhja më e thjeshtë për krizën e kostos së jetesës.

    Sipas tij, një veprim i tillë do të ndikonte në sigurinë e Britanisë se Madhe brenda pak vitesh.

    “Të gjitha ngjarjet që kemi parë këto gjashtë muajt e fundit tregojnë se kjo do të ishte katastrofike për sigurinë Euro-Atlantike”, tha Heappey.

    “Jo në një periudhë kohore 10, 15 apo 20-vjeçar, por brenda pak vitesh, ne do të gjendeshim në një situatë ku Rusia do të shkaktonte sfida të kostos së jetesës që janë 100 herë më të rënda nga këto që po shohim tani. Sepse ata mund të kërkojnë të zgjerojnë ambiciet e tyre përtej Ukrainës, pra në territorin e NATO-s, për shembull në Baltik”, paralajmëroi ai.