Ballina Vendi Pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout, Rama: Të dëgjohen dëshirat dhe lutjet...

Pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout, Rama: Të dëgjohen dëshirat dhe lutjet për të gjithë pelegrinët nga Shqipëria dhe diaspora

1

Dita e sotme përkon me përfundimin e pelegrinazhit 13 javor në Kishën e Shna Ndout në Laç. Mijëra besimtarë kanë kaluar natën në vendin e shenjtë në përpjekje për të imituar shenjtin.  Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga pelegrinazhi duke uruar që të dëgjohen dëshirat dhe lutjet e pelegrinëve nga Shqipëria dhe diaspora.

“MIRËMËNGJES… dhe me besimin se në këtë ditë të shënuar të mbylljes së pelegrinazhit të përvitshëm të 13 të Martave në Kishën e Shën Ndout, dëshirat dhe lutjet do të dëgjohen për të gjithë pelegrinët nga Shqipëria dhe Diaspora, që pavarësisht besimeve të ndryshme fetare i drejtohen çdo vit këtij vendi të shenjtë me përuljen para Zotit, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Për garantimin e mbarëvajtjes së ritualit fetar, dy ditor janë angazhuar policia dhe spitali dhe pushteti vendor në Kurbin.

Historia e 13 të martave të shenjta në Kishën e Shna Ndout

Kisha e Laçit, e njohur ndryshe dhe si Kisha e Shna Ndout, prej vitesh njihet si një vend i shenjtë, ku mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria e vizitojnë këtë vend kryesisht gjatë 13 të martave të shenjta, që nisin prej 27 Marsit dhe kulminojnë më 13 Qershor. Thuhet se Kisha e Laçit daton që prej vitit 1300 kur u ndërtua për herë të pare nga vëllezërit françeskanë, duke u shkatërruar më pas në 1971 nga regjimi komunist i cili ndaloi besimin tek feja, për t’u ringritur përsëri në 1990, me besimin akoma më të fortë të qytetarëve katolikë.

Pelegrinazhi i 13 të martave bashkon Shqiptarë të cilët i përkasin feve të ndryshme, muslimanë, katolikë, ortodoks, të cilët pavarësisht besimit të tyre zgjedhin të vizitojnë “vendin që bën mrekulli”. Kisha e Shna Ndout ndodhet e veçuar në majë te malit, ku pelegrinëve u duhet të përshkojnë kilometra të tëra dhe të ngjisin qindra shkallë për të arritur në majë. Arsyeja që pelegrinazhi fokusohet në 13 të marta lidhet pikërisht me vdekjen e shenjtorit, në nder të të cilit është ngritur dhe Kisha – Shna Ndout.