Ballina Vendi Pasi u plagos kryetari i Njesise Administrative Kallmet arrestohet, pasi mes...

Pasi u plagos kryetari i Njesise Administrative Kallmet arrestohet, pasi mes tij dhe autorit ka pasur shkembim zjarri!Sherri mes Simonit dhe Markut nisi për fushatën elektorale

1

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë që u shënua ditën e djeshme në Lezhë në fshatin Kallmet, ku mbeti i plagosur kreu i Njësisë Administrative Kallmet, Besnik Simoni dhe Altin Marku.

Burime për media bëjnë me dije se Besnik Simonit sot në spital i është komunikuar arrestimi.

Dje në lidhje me ngjarjen është arrestua Altin Marku, i cili gjithashtu kishte një plumb në krah, që tregon se mes tyre ka pasur shkëmbim zjarri.

Bëhet me dije se policia në vendin e ngjarjes ka sekuestruar 19 gëzhoja, pasi Simoni dhe Marku janë “ndeshur” me armë.

Mësohet se sherri mes tyre ka nisur një vit më parë gjatë fushatës elektorale dhe dje ka degraduar në përdorimin e armëve.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 01.04.2022, në Kallmet të Lezhës, ku si pasojë e një konflikti me armë zjarri mbeti i plagosur kryetari i Njësisë Administrative Kallmet, shtetasi B. S., shërbimet e Policisë, pas disa orë kërkimesh, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. M., i cili në momentin e kapjes është konstatuar se ka qenë i plagosur me armë zjarri, për këtë arsye është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, ku ka rezultuar se:

Më datë 01.04.2022, rreth orës 13:15, në fshatin Kallmet, Lezhë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit e lartpërmëndur kanë qëlluar me armë zjarri pistoleta, në drejtim të njëri-tjetrit dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi B. S., i cili pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shtetasi A. M. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur për disa orë, deri sa është lokalizuar dhe është arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Kallmet-Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;

B. S., 42 vjeç, banues në fshatin Kallmet, Lezhë, me detyrë administrator i Njësisë Administartive Kallmet, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. M., si dhe dy automjete.

Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.