Ballina Vendi Papa Françesku thirrje për armëpushim në Ukrainë, me rastin e Pashkëve

Papa Françesku thirrje për armëpushim në Ukrainë, me rastin e Pashkëve

1

Sipas “Vatican News”, po synohet armëpushimi në Ukrainë me rastin e festës së Pashkëve, sipas kalendarit julian, më 24 prill. Kjo kërkesë e OKB-së për të ndërprerë luftën ruso-ukrainase mirëpritet nga Papa Françesku dhe nga Selia e Shenjtë.

“Asgjë nuk është e pamundur për Zotin”, – lexohet në komunikatën e Vatikanit, me të cilën njoftohet se Selia e Shenjtë dhe Papa Françesku bashkohen me thirrjen e OKB-së për armëpushimin e Pashkëve në Ukrainë.

Sipas kalendarit julian, ortodoksët dhe disa katolikë të ritit lindor (pra, edhe në Ukrainë e në Rusi) e kremtojnë Ringjalljen e Krishtit të dielën , më 24 prill.

Pikërisht me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në marrëveshje me Fortlumturinë e Tij Sviatoslav Shevchuk, kreun e Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, kërkoi më 19 prill që luftimet ndërmjet rusëve e ukrainasve të ndalen së paku për katër ditë.

Edhe vetë Papa Françesku, të Dielën e Larit, pati kërkuar një armëpushim për Pashkë, që të punohej për arritjen e paqes. Në tekstin e sotëm, i lartohet Zotit lutja për mbrojtje që “të evakuohet popullsia e mbërthyer në kurth, në zonat e luftës dhe të rivendoset sa më shpejt paqja”; gjithashtu, u kërkohet “atyre, që kanë përgjegjësi për kombet të dëgjojnë thirrjen e njerëzve për paqe”.