Ballina Lajme Ekonomi Pagat e reja të administratës/ Miratohen rritjet për të gjithë punonjësot, paratë...

Pagat e reja të administratës/ Miratohen rritjet për të gjithë punonjësot, paratë shpërndahen shpejt

4

Janë publikuar në Fletoren Zyrtare VKM-të që specifikojnë pagat e reja në administratën publike.

Kështu është miratuar një kategori e re pagash. Ndryshe nga viti 2018 kur ishin vetëm 10 kategori, tashmë administrate ka 14 të tilla.

Administrata ka dy grupe të mëdha që ndahen në funksionarët e kabineteve dhe nëpunësit civilë dhe pjesa tjetër janë punonjësit mbështetës dhe të specialiteteve. Ndryshime të rëndësishme ka edhe në nivelin e pagave. Tashmë për funksionarët dhe nëpunësit paga bazë më e lartë do të shkojë në 235 mijë lekë nga 141 mijë lekë një vit më parë, ndërsa më e ulëta në 50 mijë lekë.

Për punonjësit mbështetës dhe specialistët ndërkohë nuk do të ketë më të ulëta se 40 mijë lekë.

Për funksionarët dhe nëpunësit civilë janë katër kategori pagash. Ato ndahen në pozicionet e larta drejtuese paga bazë e të cilëve varion nga 170 000 deri në 235 000 lekë në varësi të klasave. Për nivelin e mesëm drejtues janë dy klasa pagash që variojnë nga 141 000 – 155 000 lekë. Për atë të ulët drejtuese janë tre klasa pagash nga 95 000 lekë – 115 000 lekë.

Dhe për nivelin ekzekutiv janë katër klasa pagash nga 50 000 – 80 000 lekë. Pagave bazë i shtohen edhe ato për nivelin e kualifikimit që variojnë nga 10 000 – 14 000 lekë. Gjithashtu jepen edhe shtesa për kushte të veçanta apo të dëmshme pune që përfshijnë një sërë kategorish. Shtesat më të larta i kanë punonjësit e AKSHI-t dhe ato të Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave me 120 mijë lekë shtesë, si dhe për informaticienët në ushtri deri në 100 000 lekë.

Për grupin e dytë atë të punonjësve mbështetës janë 9 klasa pagash. Ato fillojnë nga 40 000 deri në 47 000 lekë. Punonjësit mbështetës që janë në funksione drejtuese përfitojnë shtesa mbi pagën, të ndarë në pesë grupe duke filluar nga 5% deri në 30%.  Disa kategori përfitojnë edhe shtesa për kushte të dëmshme në punë, që ndahen në katër kategori. Shtesat fillojnë nga 2 mijë deri në 7 mijë lekë në muaj në varësi të vështirësisë së punës.

Nga krahu tjetër janë përcaktuar edhe pagat e bashkive.  Vlera e tyre vendoset me vendim të këshillave bashkiakë, por qeveria në VKM-të e saj ka përcaktuar kufijtë minimalë dhe maksimalë të pagave. Bashkitë ndahen në gjashtë kategori, ku Bashkia e Tiranës llogaritet më vete dhe më pas fillojnë bashkitë me mbi 200 mijë banorë, ato me  100 – 200 mijë banorë, 50 – 100 mijë banorë, 20 – 50 mijë banorë dhe ato me deri në 20 mijë banorë.

Ndërkohë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Kadastra janë dy institucione pagat e të cilave janë përcaktuar veçmas.

Në AMP, pagat do të fillojnë nga 64 mijë lekë për specialistin deri në 128 500 për drejtorin e përgjithshëm. Gjithashtu ka dhe shtesa për vështirësi pune që fillojnë nga 15 000 deri në 30 000 lekë.

Ndërkohë në Kadastër, paga e titullarit shkon në 251 000 lekë. Edhe në këtë institucion ka shtesa për vështirësi në punë që variojnë nga 18 000 deri në 20 000 lekë. Edhe në këtë institucion rëndësi të veçantë i jepet specialistëve të informatikës. Ata do të kenë 60 mijë lekë shtesë page.

Paga të reja janë përcaktuar edhe për misionet diplomatike. Ambasadorët do të kenë pagë bazë 3 530 euro, ndërsa atashetë e fillojnë nga 960 euro. Edhe për gradat në ushtri ka rritje me Gj.lejtnant në nivelin 3 300 euro, koloneli në 2 480 euro, ndërsa grada e parë në ushtri, ajo e nëntetarit fillon nga 960 euro.