Ballina Vendi Një ditë pasi dha dorëheqjen, vjen reagimi i parë nga Basha

Një ditë pasi dha dorëheqjen, vjen reagimi i parë nga Basha

1

Një ditë pasi dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike, ka ardhur reagimi i parë nga Lulzim Basha. Ish kryetari i PD, përkujton në Facebook zgjedhjet e 22 marsit 1992, ku PD doli forcë fituese duke udhëhequr vendin në pluralizëm.

Basha shkruan se në këto 30 vite rrugëtimi i PD ka qenë i vështirë, ndërsa shton se sot demokratët meritojnë të kenë një parti të bashkuar.

“30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste. Rrugëtimi ynë ka qenë i gjatë dhe i vështirë, me suksese që kanë shënuar për mirë jetën e shqiptarëve, dhe dështime që na kanë ndarë nga ajo shumicë dërrmuese shqiptarësh që në 1992-shin i dhanë jetë ëndrrës për një Shqipëri europiane. Në dekadën e tretë të asaj fitoreje historike, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat kemi lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. Ata sot meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme për t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit”, shkruan Basha.

Basha dha dorëheqjen ditën e djeshme nga drejtimi i Partisë Demokratike, ndërsa deri në zgjedhjen e një kryetari të ri, në krye të PD do të qëndrojë Enkelejd Alibeaj si zgjidhje statutore.