Luftimet në Ukrainë kanë hyrë në ditën e pestë. Dhe sa më shumë ditë kalojnë aq më shumë shtohet dilema nëse krizës ndërkombëtare së Ukrainës me Rusinë do i jepet një zgjidhje diplomatike apo do vijojnë përleshjet në fushëbetejë. Bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë kanë nisur në orën 12:00 me orën lokale, pranë kufirit me Bjellorusinë. Delegacionet janë ulur në një tryezë të përbashkët, ku ministri i jashtëm i Bjellorusisë, Vladimirovich Makei tha se “Ju mund të ndiheni plotësisht të sigurt këtu.”
Sipas mediave të huaja, ndërprerja e menjëhershme e zjarrit dhe tërheqja e trupave ruse, do të jetë kërkesa e Kievit ndaj Rusisë. Ndërkohë, Moska deklaroi se dëshiron të arrijë një marrëveshje që ishte në interes të të dyja palëve. Por ka shumë skepticizëm për rezultatin e negociatave në Bjellorusi. Presidenti i Ukrainës, Zelensky tha se 24 orët e ardhshme janë vendimtare për Ukrainën.