Nisen 6 mijë ton grurë nga Ukraina drejt Shqipërisë.
Anija “Jaohar Ranim” po lundron drejt portit të Durrësit për llogari të një kompanie mielli në Tiranë.
Kjo është anija e parë që vjen nga Ukraina që pas fillimit të luftës atje. E ngarkuar në Izmail të Ukrainës, anija është nisur më 28 korrik nga ky port dhe pritet të mbërrijë më 10 gusht në Durrës. Izmaili është porti më i madh ukrainas në grykëderdhjen e Danubit, në Odesa. Javën e kaluar u njoftua nga autoritetet turke për një tjetër anije të nisur nga Odesa drejt Libisë më 1 gusht, po anija “Jaohar Ranim” e ka çelur e para siparin e lëvizjeve, pas sulmeve që nisën nga Rusia në shkurt të këtij viti. Bllokimi i porteve ukrainase shkaktoi probleme në furnizimin global me drithëra.
Rusia dhe Ukraina së bashku mbulojnë gati një të tretën e eksporteve globale të grurit, ndaj rifillimi i eksporteve të grurit nga Ukraina i ka dhënë një frymëmarrje të re nevojës globale për konsum.
Aktualisht, anija me grurë ndodhet në ujërat greke të Jonit dhe pritet të mbërrijë në orët e para të së mërkurës në Durrës.
Ndërkohë në lundrim e sipër drejt Durrësit është dhe një anije e ngarkuar në Rusi me ure për bujqësinë. Ajo pritet të mbërrijë në port mbrëmjen e së martës, ndërsa e ka nisur lundrimin nga porti rus Novorossiysk./ TCH