Ballina Vendi Nga Mykonos në Gjirokastër, historia e emigrantit që pas 23 vitesh punë...

Nga Mykonos në Gjirokastër, historia e emigrantit që pas 23 vitesh punë ka sot bujtinën e tij në vendlindje

0

Zhvillimi i turizmit vitet e fundit ka nxitur mjaft qytetarë të kthehen nga emigrimi me synim investimin në këtë fushë.

Një ndër ta është Alfred Zhuli i kthyer pas 23 vitesh nga ishulli i Mykonos në Greqi i cili shndërroi banesën e vet në lagjen Cfakë të Gjirokastrës në një ambient akomodimi në shërbim të turizmit.

Ai shfrytëzoi eksperiencën e marrë si punonjës i hotelerisë në një nga perlat e turizmit ndërkombëtar të vendit helen. Për Alfredin ky është sezoni I parë që pritet të vjelë frytet e investimit të ngritur me mund e djersë, ndërsa pritshmëritë janë të larta.

Me përvojën e fituar në fushën e turizmit kur punonte emigrant dhe tashmë një investitor, Alfredi e shikon kthimin në vendlindje si një mundësi për të përmirësuar të ardhurat financiare.

Qyteti i gurtë tërheq në çdo stinë të vitit turistë të shumtë vendas dhe të huaj, ndërsa ndodhet prej 18 vitesh nën mbrojtjen e UNESCO-s e vlerësuar për arkitekturën, historinë dhe traditën.

Në një rrëfim administratori Zhuli shprehet se bujtinën e tij e realizoi me kursimet e tij nga emigrimi dhe në këtë banesë shfrytëzoi eksperiencën e marrë si punonjës i hotelerisë në një nga perlat e turizmit ndërkombëtar të vendit helen siç është Mykonos. Ky ambient akomodimi ka dy dhoma dhe një suitë. Ndërkaq ka synimin që ta zgjerojë akoma më tepër kapacitetin.

Ai e ka hapur bujtinën sivjet dhe është sezoni i parë për të. Sipas tij pritshmëritë tani me fluksin e turistëve janë më se të larta për vetë faktin se Gjirokastra, edhe për asetet që mbart, ka perspektivë dhe të ardhme të ndritur në këtë sektor.

Zhuli rrëfen se turistët e parë kanë ardhur nga Franca dhe Italia dhe kanë mbetur të impresionuar nga mikpritja dhe asetet që ofron qyteti i gurtë.

Zhuli ka një apel ndaj bashkëqytetarëve të tij kryesisht atyre që jetojnë në emigrim të kthehen në vendlindje të investojnë në dobi të turizmit pasi është një mundësi shumë e mirë për të siguruar burime financiare.

/RTSH/