Duke nisur nga muaji shtator 2022, më shkolla publike të vendit do të aplikohet projekti “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”.
Deri më sot në këtë projekt janë përfshirë 140 shkolla në të gjithë vendin.
Në to janë formuar rreth 400 klasa mësimore dhe janë përfshirë mbi 7800 nxënës dhe 800 mësues.
Ndërkohë me fillimin e vitit të ri shkollor, këtë shtator është vendosur të përfshihen edhe 150 shkolla të tjera, njoftoi ministrja e Arsimit, Evis Kushi, raporton noa.al.
“Ky program ju ndihmon jo vetëm që të bëni detyrat e shtëpisë nën kujdesin dhe mbështetjen e mësuesve, por sjell më shumë përparim në dije dhe mbështet aftësitë tuaja shoqërore, fizike dhe intelektuale përmes pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme pas procesit mësimor”, thotë zonja Kushi.
Ministrja nuk publikoi listën e shkollave që futen në këtë projekt.
Megjithatë noa.al mëson se prindërit duhet të bëjnë kërkesë pranë shkollës ku kanë fëmijët.
Kushi thotë se nxit prindërit që të kërkojnë mbështetje për fëmijët e tyre dhe të përfitojnë nga ky shërbim që ofrohet pa pagesë në shkollat publike pranë vendbanimit të tyre.