Ballina Vendi Nesër zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki, KQZ: Ka përfunduar shpërndarja...

Nesër zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki, KQZ: Ka përfunduar shpërndarja e plotë e bazës materiale në 942 Qendrat e Votimit

2

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka përfunduar shpërndarja e plotë e bazës materiale për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen më 6 mars.

654.538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do i drejtohen kutive të votimit më 6 mars për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës mes kandidatëve të PS, PD e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’, të cilët do të kenë një mandat 1-vjeçar. Janë 10.134 zgjedhës që votojnë për herë të parë, ndërsa 135 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. Në të 6 bashkitë do të jenë 942 qendra votimit që do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.

Në të gjitha qendrat e votimit do të zbatohet identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas zgjedhjeve. Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve.

“KQZ Shqipëri njofton shpërndarjen e plotë të bazës materiale për procesin e zgjedhjeve të pjesshme në 6 Bashki të vendit të datës 6 Mars 2022. Ka përfunduar shpërndarja e materialeve zgjedhore në 942 Qendrat e Votimit të Bashkive Shkodër, Dibër, Durrës, Lushnje, Rrogozhinë, ndërsa në Bashkinë Vorë janë shpërndarë pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik. Në emër të KQZ falënderoj të gjithë personat e përfshirë në këtë proces dhe veçanërisht komisionerët e Njësive Administrative Shalë, Shoshë dhe Pult, të cilët pavarësisht kushteve tejet të rënda atmosferike, e përmbushën me sukses detyrën e tyre. Gjithashtu falënderoj Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura për ndihmesën në shpërndarje me mjetet e tyre, si edhe Policinë e Shtetit për shoqërimin e bazës materiale deri në destinacionin fundor”, njofton KQZ.

Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga Presidenti Meta më 20 janar të këtij viti për shkak të vakancave të krijuara nga dekriminalizimi apo dorëheqjet.