Ballina Kulture Ndizet atmosfera në sallën e teatrit “Bylis” me koncertin me rastin e...

Ndizet atmosfera në sallën e teatrit “Bylis” me koncertin me rastin e festave të Nëntorit.

1

Atmosfera e ndezur kuqezi nga sheshi dhe ngritja e flamurit është zhvendosur në sallën e teatrit “Bylis” i cili shpërtheu nga atmosfera tepër e veçantë e organizuar në këtë ditë simbol në historinë tone kombëtare. Ashtu si ishte programuar në këtë koncert festiv është gërshetuar popullorja me modernen duke sjellë kështu kënaqësi pa fund për të gjithë të pranishmit.

Ka qenë një bashkëpunim i arrirë mes disa elementëve muzikorë dhe artistëve pjesëmarrës tashmë të afirmuar në fushën e muzikës dhe kulturës. Të pranishmit kanë ndjekur me emocion lojën e Orkestrës Filarmonike “Ibrahim Madhi” e Universitetit të Arteve me drejtues orkestre Isak Shehun e cila në repertorin e saj kishte të përfshirë muzikën e filmave “Në fillim të verës” , “Dimri i fundit” si dhe disa nga kryeveprat të kompozitorëve me famë botërore.

Nuk ishte hera e parë që skena e teatrit “Bylis” do të ndjente emocionet e interpretimit te dy tenorëve të mirënjohur Kastriot Tusha dhe Josif Gjipali të cilët sërish sollën emocione të reja të shoqëruar nga zëri i mrekullueshëm i sopranos Ardita Meni që ekzekutuan disa këngë tradicionale patriotike shqiptare si “Moj e bukur Arbëri”, “Fjalët e qiririt”, “Rrjedh ne këngë e ligjërime”.

Tablonë festive të këtij koncerti e pasuroi “Ansambli “Myzeqeja” me interpretimet e tyre plot elegancë si dhe tingujt e këngëve të përcjella nga Grupi i Këngës Qytetare Fierake./Tv Kombi/