Teksa situata me përmbytjet në veri të vendit po shkon drejt përmirësimit, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka paralajmëruar se reshjet po zhvendosen drejt jugut, ku mund të ketë problematika.
Në një komunikim për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Peleshi tha se priten prurje të larta në lumin e Shushicës dhe Drinos.
“Pritet të ketë prurje të larta në lumenjtë Shushicë dhe lumi i Drinos. Nuk ka probleme të konsiderueshme në lumenjtë e tjerë. Në Gjirokastër era e fortë ka shkaktuar probleme me furnizimin me energji. Kemi një situatë drejt normalizimit të shpejtë në Durrës, Kukës dhe Dibër. Nuk ka akse nacionale të bllokuara. Në akset dytësore ka rrezikshmëri dhe i bëj apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm për të evituar çdo ngjarje të pakëndshme. Problematika mbeten rezervuarët në të gjithë Shqipërinë. Kemi rreth 600 rezervuare në vend. Vëmendje për bashkitë që të hartojnë në këto kohë dhe të përgatiten me buxhetin që vjen”, tha Peleshi.
Ndërkohë, në veri të vendit, sipas Ministrit, është larguar uji në ¾ e sipërfaqes së tokës që ishte përmbytur dhe të gjitha akset nacionale janë tashmë të kalueshme.
“Kanë vazhduar reshjet, ndonëse me intensitetin e dy ditëve më parë. Problematika e përmbytjeve është ende prezente, uji është tërhequr dhe pothuajse ¾ e sipërfaqes është liruar, por vijojnë të jenë sipërfaqe nën ujë. Në Shkodër janë evakuuar 22 familje, nga 52 që ishin në fillim, diferenca është rikthyer në banesë. Nuk ka asnjë banesë me prezencë uji. Në Lezhë, ka 4 banesa me prezencë uji dhe 1300 hektarë tokë e përmbytur. Tani kemi një zhvendosje drejt jugut të reshjeve”, u shpreh Peleshi.