Ballina Lajme Ministri i Brendshëm, Çuçi: 2022, viti me më pak vrasje në Shqipëri

Ministri i Brendshëm, Çuçi: 2022, viti me më pak vrasje në Shqipëri

1

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha këtë të mërkurë se në vitin 2022 ka pasur vetëm 43 vrasje me dashje, duke e konsideruar si vitin më me pak vrasje në Shqipëri.

“Vrasjet me dashje gjatë 2022, 43 vrasje me dashje, një rekord. Numri, të paktën këto vitet e tranzicionit, me kompetencë ju them se viti 2022 ka qenë viti me më pak vrasje në Shqipëri. 107 ishte në kohën kur morëm qeverisjen. Viktima nga vrasje me dashje, 49 viktima, krahasuar me 104 në vitin 2013. Vjedhje me armë 11, 96 në 2013-ën. Nuk është për të parë anën e mirë në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, por duhet të dimë nga vijmë për të shtruar rrugën para. Aksidente rrugore, 2057 në 2013, 1165 në vitin 2022, po t’i shtojmë dhe faktin se numri i automjeteve në qarkullim është shumë më i lartë, atëherë indeksi është mbresëlënës, 3 herë më pak. 745 mijë mjete në qarkullim sot, shikoni ndryshimin. Asete kriminale të konfiskuara sipas ligjit Antimafia janë me vlerë rreth 24 milionë euro”.

“Koha e reagimit të Policisë, në vitin 2016 ka qenë 25 minuta, në 2022 është 15 minuta dhe objektivi është që në 2025 ne ta çojmë në 13 minuta. E fundit lidhet me perceptimin e publikut mbi punën, sondazh domethënës që është bërë me metodologji evropiane që për fat të mirë është bërë edhe në 2013, këtu kemi një ndryshim edhe këtu si nata me ditën. Në 2013, 36% mendonin se policia po bën një punë të mirë. Në 2022, 59% kanë perceptimin që Policia po bën një punë të mirë. Besoj që në harkun e dy viteve ne do e çojmë në mesataren e BE-së për perceptimin sepse çon në adresim më të mirë të kriminalitetit”.

Deklaratat, Çuçi i bëri gjatë prezantimit të arritjeve të Ministrisë së Brendshme në 2022-n dhe objektivave për vitin 2023.