Ballina Vendi Mbi 10 milionë euro/ Lihet në fuqi vendimi për sekuestron e pasurive...

Mbi 10 milionë euro/ Lihet në fuqi vendimi për sekuestron e pasurive të Ervis Martinajt

18

TIRANË– Lihet në fuqi vendimi për sekuestron e pronave të Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij. Sot, Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e paraqitur përmes avokatit dhe familjarëve të Martinajt për kthimin e pronave që i ka sekuestruar Gjykata, të cilat përllogariten se kanë vlerën e 10 milionë eurove.

Në muajin Shkurt, Gjykata e Posaçme vendosi në sekuestro 34 pasuri të Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij sepse ka dyshime se janë vendosur nga veprimtari e jashtëligjshme e kryer nga Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej disa muajsh. Familjarët e Martinajt iu drejtuan gjykatës me një rekurs ku kërkonin heqjen e sekuestros me pretendimin se pasuritë janë krijuar me burime të ligjshme. Por kërkesa e tyre është rrëzuar nga çdo shkallë e gjyqësorit.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.

Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë gjurmë. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version. Ish-efektivi Jeton Lami që u arrestua pas zhdukjes së tij është personi kyç që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit, por efektivi deri më tani nuk ka hapur gojë