Misteri i humbjes së kontakteve të Ervis Martinajt me familjen e tij vazhdon. Grupi hetimor po heton pistën e rrëmbimit të personit për 40-vjeçarin Martinaj. Burime për gazetaren Klodiana Lala thanë se Prokuroria ka nisur përgjime e vëzhgime të personave që dyshohet se mund të kenë pasur kontakte me Martinajn, ndërsa kontrolle po ushtrohen në të gjitha vendet ku mendohet se ishin baza të tij.
Edhe pse baza kryesore është zona e Fushë Kuqes, hetuesit kanë kthyer sytë drejt Vlorës, qytet ku mendohet se Martinaj kishte lidhje dhe njohje të forta, por nuk përmendin emra. Pistat e hetimit janë të hapura, nga njëra anë ka dyshime se ngjarja mund të jetë inskenuar nga vetë Martinaj për t’u shpëtuar kundërshtarëve dhe Policisë, pasi është në kërkim ndërkombëtar që prej majit në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”./ News 24