Ballina Vendi Lija e majmunit, Shqipëria vendos të nisë vaksinimin me dozat për linë...

Lija e majmunit, Shqipëria vendos të nisë vaksinimin me dozat për linë e dhenve

1

Përhapja e Lisë së Majmunit në disa vende të botës ka bërë që të mblidhet këtë të hënë Komiteti Kombëtar Teknik Këshillues i Imunizmit në Institutin e Shëndetit Publik, për masat praprake që duhen marrë në vendin tonë. E pranishme në takim ishte edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Komiteti i Ekspertëve të Imunizimit ka rekomanduar vaksinën e lisë për kontaktet e afërt dhe personelin shëndetësor, në rast të shfaqjes së rasteve me linë e majmunit.

“Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimt ka marrë vendim, në trajtën e një rekomandimi, për të mundësuar që përsa i përket kontakteve të afërta të rasteve, të cilat mund të diagnostikohen me linë e majmunit, të mundet të përdoret vaksina e lisë. Një vaksinë, e cila ka një efikasitet, sikurse edhe studimet tregojnë, rreth 85% përsa i përket mbrojtjes nga lia e majmunëve. Vlerësohet nga ekspertët tanë që do të jetë një sasi, e cila për këtë fazë do t’i dedikohet kontakteve shumë të afërta apo edhe personelit mjekësor, që mund të jenë në përballje këtë sëmundje”, tha Manastirliu.

Në kuadër të masave të marra, Manastirliu tha po bëhen përgatitjet për diagnostikimin e lisë së majmunit në laboratorin e ISHP, ndërkohë që bëri me dije se aktualisht po bashkëpunohet me laboratorët e referencës.

“Ne jemi duke u përgatitur me Institutin e Shëndetit Publik që, nëpërmjet metodës PCR, të mund të kemi edhe në Shqipëri pikërisht mostrat primer, të cilat mund të evidentojnë edhe në vendin tonë, në këtë laborator të ISHP-së, diagnostikimin e lisë së majmunit. Aktualisht ne jemi duke bashkëpunuar me laboratorët e referencës në Londër dhe në Hollandë, për të patur mundësinë që mostrat të cilat mund të jenë të dyshuara, të mundet të referohen menjëherë, ashtu sikurse bëjmë edhe me rastet e ndryshme të varianteve të Covid19”, bëri me dije Manastirliu.