Ballina Vendi Kurti: Serbia mund të na sulmojë, por ne jemi gati

Kurti: Serbia mund të na sulmojë, por ne jemi gati

1

“Unë jam një kryeministër i përgjegjshëm dhe duhet t’u them të vërtetën qytetarëve të mi. Nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë apo tjetrën, por do të ishte totalisht e papërgjegjshme që përballë gjithë këtyre politikave agresive të Beogradit të përjashtosh mundësinë e një konflikti të ri. Është i mundur”.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters kryeministrit Albin Kurti, përsëriti shqetësimet për një përballje të armatosur, me atë që e quan fqinj autokrat, Serbinë.  Kurti thotë se Kosova është e përgatitur ti përgjigjet një sulmi të mundshëm, mes tensioneve në rritje me komunitetin serb në veri të vendit dhe se nuk ka frikë.

“Të kesh një autokraci si fqinj është problematike. Jemi vigjilentë dhe monitorojmë me kujdes zhvillimet. Kemi NATO-n dhe BE-në Kosovë, e pavarësisht se nuk jemi anëtarë, nuk kemi frikë. Kemi institucionet, organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe Kosova është një shtet tani. Nuk është më viti 1998. Është viti 2022 dhe ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, tha Kurti.

Kurti akuzon gjithashtu Rusinë, që është aleati kryesor i Beogradit dhe ka vendosur veton ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, se po nxit tensione të reja etnike në vendin e tij. Ai e cilëson Putinin një despot.