Ballina Vendi Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi ka garantuar banorët e njësisë administrative të...

Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi ka garantuar banorët e njësisë administrative të Topojës për të vazhduar punën e nisur edhe në vijim. Balla: Bashkia e Fierit modeli si punohet në të gjithë Shqipërinë.

1

Drejtuesi politik i qarkut të Fierit Taulant Balla, deputeti Petro Koci dhe kryebashkiaku Armando Subashi ka qenë në njësinë administrative të Topojës ku kanë bërë një pasqyrë të punëve të kryera gjatë këtij mandati në këtë njësi dhe gjithë territorin e bashkisë së Fierit, por edhe investimet që do të kryhen nga buxhetit i këtij viti. Reforma territoriale, ka pohuar Subashi është një nga arritjet e qeverisjes socialiste duke bërë të mundur shërimin e shumë plagëve që ishin atyre prej vitesh.

Sipas tij Rilindja Urbane ka bërë të mundur të zgjidhen shumë nga problematikat më të mprehta të bashkisë duke filluar nga qendra e qytetit e deri në fshatrat e 9 njësive administrative. Aktualisht pas asfaltimit të rrugëve kryesore në qytet dhe njësitë administrative tashmë po operohet me rrugët e brendshme në fshatrat kryesore të tyre.

Ai ka përmendur përfundimin e investimeve rrugore në Sheq Marinas dhe në Topojë në brendësi të lagjeve, por edhe vazhdimin e punëve në Seman, në Grykë, Gjokalli sipas programimit nga buxheti i bashkisë. Subashi është ndalur në dy projekte madhore përfitues të të cilëve janë dhe banorët e kësaj njësie si projekti i 16 fshatrave të fushës për furnizimin me ujë të pijshëm që fillon nga pjesa e Pishë-Poros në grykëderdhjen e Vjosës deri në fshatin më të fundit në Sektor të Semanit, që përfshijnë brenda vetes tre njësi administrative të Levanit, Dermenas dhe Topojën, por edhe zhvendosjen e vendburimit nga Pishë-Poro drejt Çervenit aty ku aktualisht janë shumica e puseve prej nga furnizohet qyteti i Fierit dhe më gjerë duke i paraprirë kështu zhvillimeve të ardhshme në zonën bregdetare.

Një tjetër projekt me rëndësi është rruga e Semanit nga hekurudha deri te pishat në bregdet të cilit i ka përfunduar një element ura e madhe mbi kolektorin e Roskovecit, ndërkohë që po punohet në qendër të Dërmenasit duke qenë një shembull se si do të vazhdojë ky projekt me elementët e korsive të biçikletave, me trotuare, ndriçim nga fillimi deri në fund të tij.

Ky investim shkon në rreth 20 milion euro. Kryebashkiaku Subashi e ka fokusuar fjalën e tij në disa pika kryesore, që sipas tij janë me rëndësi jetike për këtë njësi administrative. Ai është ndalur në investimet në kopshtet, shkollat, çerdhet dhe qendrat shëndetësore.

Në shkolla çdo vit në qershor-korrik-gusht bëhen ndërhyrje për të siguruar mësim normal në shtator, ka përmendur ai. E njëjta gjë ndodh dhe me qendrat shëndetësore që nuk lihen jashtë vëmendjes së bashkisë, por edhe mjeku dhe infermieri duhet të jenë kurdoherë në shërbim të banorëve.

Ndërkohë që në qendër të vëmendjes do të jenë dhe terrenet sportive si një kërkese jetike dhe e mirëkuptueshme e komunitetit në stadet e tanishme të zhvillimit urban, por edhe prurë më afër sportit nxënësit e shkollave dhe edukimin e tyre fizik. Investimet në kanalet vaditëse dhe kulluese, rrugët rurale të lidhura me njëra-tjetrën kanë një rëndësi jetike për fshatin duke ndikuar drejtpërdrejtë në shitjen e produkteve bujqësore.

Duke qenë se është një proces ne vijim është parashikuar blerja e dy ekskavatorëve të rinj që kryejnë shërbime në këto kanale, duke fuqizuar kështu mekanikën e përdorur. Lidhur me shërbimet si pastrimi i mbetjeve urbane, transporti publik, ndriçimi publik në qendër dhe në fshatra Subashi ka përmendur në këtë drejtim vendosjen e 2500 ndriçueseve me panele diellorë dhe 1500 me energji elektrike. Ky investim ka pohuar Subashi do të quhet i përfunduar kur të shkojë ndriçimi në shtëpinë e fundit të fshatit. Në fjalën e tij janë përmendur arritjet në drejtim të transportit publik dhe mirëmbajtjes së varrezave publike duke kryer rrethin e tyre dhe çlirimin e hapësirave të zaptuara.

Kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi ka garantuar banorët e njësisë së Topojës që rruga e nisur e investimeve nuk ka mbaruar, përkundrazi ajo do të vazhdojë edhe në vitet që vijnë. I pranishëm në këtë takim përfaqësues politik, deputeti Taulant Balla ka përmendur punët e mira që janë bërë në bashkinë e Fierit, duke përmendur faktin që në këtë bashki janë kryer punët në mënyrë të planifikuar duke qenë kështu një model në gjithë vendin. Është planifikuar këtë vit të shtrohen me asfalt 30 km rrugë në këtë bashki në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane./Tv Kombi/