tvkombi
tvkombi

Kritere dhe procedura të reja për të përfituar nga trajtimi në rastet e fatkeqësisë natyrore, si veprohet me ndërtimet pa leje

Lajme

Publikuar ne:20:07 - 27/12/2022

Përcaktohen kritere dhe procedura të reja për të përfituar nga trajtimi në rastet e fatkeqësisë natyrore. Qytetarët e dëmtuar duhet të plotësohen kushtet dhe kriteret e mëposhtme me qëllim përfitimi si ndërtimi pa leje të rezultojë i dëmtuar pas një fatkeqësie natyrore në një njësi të vetëqeverisjes vendore, ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore; ndërtimi pa leje të jetë përfshirë në procedurat e legalizimit dhe për të, të mos ketë përfunduar procesi administrativ me vendimmarrje për legalizim; ndërtimi pa leje të rezultojë me funksion banimi, gjatë evidentimit në terren që kryen ASHK, sipas ligjit.

“Individi ose familja të mos ketë ndërtim tjetër në pronësi apo më shumë se një ndërtim pa leje me funksion banimi në proces legalizimi, në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore. Kur individi apo familja ka disa ndërtime në pronësi apo në proces legalizimi dhe të gjitha ato dëmtohen si pasojë e fatkeqësisë natyrore, atëherë përfiton vetëm për banesën, që në datën e fatkeqësisë natyrore, përdorej si vendbanim i zakonshëm. Ndërtimi pa leje plotëson kushtet e ndërtesës së dëmtuar, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore”, miratuar me ligjin, të vërtetuar në bazë të aktekspertizës të organeve kompetente, sipas këtij akti normativ.”- thuhet në njoftim.

Sipas vendimit, procedura e përjashtimit nga legalizimi të ndërtimeve pa leje që dëmtohen nga fatkeqësia natyrore nis me kërkesën e organit përgjegjës/njësisë zbatuese drejtuar ASHK-së.

Brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës nga organi përgjegjës/njësia zbatuese, drejtoria vendore e ASHK-së evidenton në terren ndërtimet pa leje dhe verifikon, nëse për to është paraqitur kërkesë për legalizim. Kur rezulton se është paraqitur kërkesë, brenda të njëjtit afat, kryhet dhe procedura e përjashtimit nga legalizimi.

“Vendimmarrja e përjashtimit, i përcillet organit përgjegjës/njësisë zbatuese dhe shoqërohet nga:
a) dokumentacioni hartografik (genplan dhe planimetri);
b) ekstrakti nga baza e të dhënave;
c) informacion kadastral;
ç) të dhëna nëse përfituesi zotëron apo jo banesë tjetër të ligjshme, brenda territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Kjo vendimmarrje i njoftohet, njëkohësisht, dhe subjektit posedues të ndërtimit pa leje, sipas mënyrës dhe afateve të parashikuara në ligj dhe në Kodin e Procedurave Administrative.”- theksohet në Aktin Normativ.

Mënyra e trajtimit dhe kriteret për përfitimin e sipërfaqeve ndërtimore të subjekteve përfitues, sipas këtij vendimi, është sipas parashikimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave, për kushtet dhe kriteret e përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në objektet e reja për banim nga subjektet që posedojnë ndërtime të klasifikuara si ndërtime pa leje, miratuar në zbatim të aktit normativ “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe organet publike që preken nga ky vendim.

/rtsh.al/

Ju sugjerojmë