Ballina Kulture Korça çel sezonin turistik veror, mbahet edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar...

Korça çel sezonin turistik veror, mbahet edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve

0

Qindra qytetarë korçarë si dhe vizitorë nga qytete të tjera të Shqipërisë zgjodhën Korçën si destinacionin e fundjavës, për të ndjekur paradën e karnavaleve e cila ka ardhur me një itinerar të gjatë për të kulmuar me karnaval party tek ambjentet e Pazarit të vjetër në qytet.

30 grupe karnavalesh nga Korça, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia u kanë dhuruar qytetarëve një paradë të veçantë duke përcjellë fabula të ndryshme dhe prezantuar traditën kulturore e historike që mbart secili vend

Në këtë festë karnavalesh nuk kanë munguar kllounët të cilët udhëhoqën paradën, maskat veneciane, grupi rom, grupi i mollëve të Korçës, grupi i bletëve, dëbora e personalizuar tek fëmijët me veshje në ngjyrë të bardhë, hëna dhe dielli, si dhe shumë të tjera.

Qytetarë të çdo grupmoshe kanë ndjekur me interes paradën e karnavaleve dhe prezantimin e secilit grup përmes performancave të tyre tek sheshi pranë Katedrales së qytetit, ndërsa më pas festa ka vijuar tek Pazari i Vjetër në qytet, ku ka mbajtur një koncert këngëtari korçar Bledi Polena.

Nga viti në vit përmasat e Karnavalit janë rritur duke sjellë bukurinë dhe gazin që përcjellin maskat dhe kostumet e shumëllojshme, për të rikthyer dhe njëherë traditën e vjetër Korçare.